Grupi i kuvendarëve nga PDK-ja, në Kuvendin komunal në Lipjan ka vazhduar me kritika e akuza ndaj udhëheqëses dhe kryesisë së subjektit të vet me arsyetime se nuk po mbështeten në asnjë proces të përbashkët.
Përplasje brenda kryesisë së PDK-së ka pasur edhe pas përfundimit të zgjedhjeve derisa ish-kandidatët për Kuvend patën akuzuar udhëheqjen e kësaj partie për vjedhje të votave nëpërmjet komisionarëve.
Sipas grupit të Kuvendarëve, në Kuvend po funksionojnë të ndarë nga kryesia e PDK-së. Së fundi, akuza të tilla janë ngritur edhe nëpërmjet një shkrese zyrtare të cilën shefi i grupit të kuvendarëve Arsim Jashari, ua ka dërguar kryesisë dhe udhëheqësve të partisë.
Në këtë shkresë të cilën e ka siguruar KOHA, mes të tjerash thuhet se PDK-ja është parti e ngritur mbi sakrificën e popullit për liri, andaj nuk duhet lejuar që kryesia të mos bashkëpunojnë me kuvendarët.
“Në emër të grupit të kuvendarëve, kërkojmë nga ju të gjithë që t ‘na mundësoni dhe të na ndihmoni të bëjmë opozitë siç duhet. Krejt ajo çka ne po kërkojmë nga ju është një mobilizim dhe një unitet rreth partisë dhe një zgjim nga gjumi i thellë i cili na ka kapluar si parti, inatet dhe destruktiviteti na dëmtojnë për brenda dhe e faktorizojnë partin ne pushtet”, thuhet në shkresën e grupit të kuvendarëve të PDK-së.
Sipas Jasharit i cili ia ka përcjellë kryesisë këtë shkresë thotë se është për të ardhur keq si ka mundësi që një postim të anëtarëve të Kuvendit Komunal nuk i komenton as nuk i shpërndan asnjë anëtar i kryesisë.
“Postimet e Kuvendarëve në rrjete sociale askush nuk i bën as like, nuk është për ne të marrim poena, por kjo pasqyron dhe reflekton keq tek qytetarët, ju po e vëreni se sot rrjetet sociale po luajnë rol të madhe edhe në politik bërje. Me ketë neglizhencë dhe pasivitet nga ana e juaj na bënë të mendojmë se ‘Imria’ s’paska fituar rastësisht. Nga kush po frenohemi! Nga kush po na vjen turp!. Nëse jemi PDK duhet mbështetur përfaqësuesit e zgjedhur nga vota e PDK-së, ne jemi pasqyra e PDK-së për këto katër vjet”, ka thënë më tej Jashari nëpërmjet kësaj shkrese.
Sipas tij, askush nga kryesia e PDK-së deri më tani nuk ka dhënë asnjë informatë për ekzekutivin ose ndonjë ndihmë çfarëdo qoftë ajo.
“Nga dita e parë të gjithë materialin e kemi dërguar për shqyrtim, asnjëherë nuk ka pas kuorum nga kryesia dhe nuk kemi mundur t’i shqyrtojmë pikat ashti siç duhet të funksionoj një kryesi, andaj në mungesë se mbështetjes suaj jemi detyruar të konsultohemi me ekspert të fushave të ndryshme në mënyrë private. Deri më tani të gjithë anëtarët e asamblesë kanë bërë një pune të jashtëzakonshme duke dhënë propozime rekomandime profesionale dhe konkrete, dhe ç’do seance kemi triumfuar në Kuvend”, thuhet më tej në shkresën e Kuvendarëve. Sipas kësaj shkrese kuvendarët dhe kryesia duhet te bëhen bashkë dhe secili që ka pranuar përgjegjësi ta mbaj atë përgjegjësi.
“Nëse jo, atëherë secili duhet të lirojë rrugë sepse nuk mund të stopohemi në këtë mënyrë. Është shqetësuese se ne postuam një shkrim lidhje me privilegje në avancimin e burrit të një drejtoreshe në Komunë, asnjë mbështetje apo koment nuk e kemi marrë nga kryesia e PDK-së, prandaj si po mendojmë ta rrezojmë ketë pushtet vetëm me një muaj fushat zgjedhore nuk munde te ndodhe kurrë. Ju lutem reflektoni për të mirë të partisë, për të mirë të votuesve tanë te cilët na mbështesin me sy mbyllur nëse nuk na doni ne, duaje kauzën tonë, ne rritemi dhe fitojmë vetëm atëherë kur jemi të bashkuar dhe i lamë anash inatet personale dhe politike”, thuhet në fund të shkresës.
Në anën tjetër kryetari i PDK-së, dega në Lipjan nuk i është përgjigjur pyetjeve të KOHES rreth kësaj çështje, madje ai nuk i është përgjigjur as thirrjeve në Telefon.
Ndërkohë, nënkryetarja e kësaj partie në Lipjan, Selvije Halimi, ka thënë ende nuk e ka parë një shkresë të tillë nga kuvendarët.
“Unë nuk e di dhe nuk kam parë asnjë shkresë nga kuvendarët, por bashkëpunimi me ta është në nivelin e duhur, megjithëse asnjëherë nuk është i mjaftueshëm sepse derisa nuk e arrin qëllimin për çka je si subjekt duket se diçka nuk po funksionon mirë, mirëpo bashkëpunimi është në nivelin e duhur. Pra, unë nuk kam pasur asnjë shkresë dhe nuk i komentoj këto gjëra që mund të dalin që nuk janë në interes të askujt. Unë jam njeri pozitiv dhe merrem me gjëra pozitive, por nuk merrem me shkresa i tha ose i thash”, ka thënë shkurtë Halimi.