Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se gjatë së mërkurës do të vazhdojë intervistimi i personave përgjegjës për procesin e numërimit të votave në Komunën e Klinës, në kuadër të hetimeve lidhur me dyshimet për manipulim të votave.
Sipas njoftimit të publikuar nga Sistemi Prokurorial në Facebook, hetimet kanë të bëjnë me pretendimet për manipulim të rezultateve të kandidatëve të subjekteve politike në këtë komunë.
“Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë intervistimin e personave në këtë proces”, thuhet në njoftim.
Hetimet për manipulim me vota kanë nisur edhe në komuna të tjera.