Mungesa e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike, përfshirë edhe gjatë verës së vitit 2022, është dëshmi se Kosova nuk mund të mbështetet në kapacitetet e termocentraleve të stërvjetruara. Rënia e tyre nga funksioni jo vetëm që do të shpeshtohet, por edhe riparimi i defekteve do të kërkojë kohë dhe kosto më të lartë
Zhurma e gjeneratorëve që u shfaq në kulmin e temperaturave të larta të verës, pritet ta shoqërojë Kosovën të paktën edhe gjatë tremujorit të parë të 2023-tës. Mospërmbushja e nevojave të konsumit me prodhim vendor nga dy termocentralet e vjetruara, problemet me rënien e blloqeve dhe mungesa e energjisë në treg e bëjnë të vështirë përmbushjen e kërkesave të qytetarëve.
Rimëkëmbja pas pandemisë rriti kërkesën për energji dhe ngadalësoi përparimin në energjinë e ripërtëritshme. Kushtet ekstreme të motit, nga një dimër i ftohtë dhe një verë përvëluese, ndikuan që të rritet konsumi rrymës. Agresioni rus në Ukrainë ndikoi në mungesë të energjisë, duke e përkeqësuar edhe më tej situatën.
Përkundër disa remonteve që janë bërë në katër njësi të dy termocentraleve, “Kosova A” dhe “Kosova B”, Kosova gjatë dimrit nuk do të mund të llogarisë në 150 megavat kapacitete të njësisë “A5”, e cila ka mbetur jashtë funksionit shkaku i dështimit të KEK-ut për të gjetur një kompani që do të kryente remontin kapital të kaldajës. Por, edhe sikur punët të fillojnë në janar, ato nuk do të përfundojnë së paku deri në fund të marsit.
Prodhimi i pamjaftueshëm
Nga janari deri në fund të marsit, bazuar në të dhënat e periudhës së njëjtë të sezonit të kaluar, Kosova do të ketë për çdo orë mungesë të energjisë elektrike prej 221 megavat energji.
Mungesa e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike edhe gjatë verës, dëshmon se Kosova nuk mund të mbështetet në termocentrale të stërvjetruara për të siguruar furnizim të mjaftueshëm. Rënia e tyre jo vetëm që do të shpeshtohet, por edhe koha e nevojshme për riparimin e defekteve do të zgjatet. Kjo do të ndikojë në rritje të kostos së sistemit elektroenergjetik.
të pasur furnizim stabil, sasia e munguar duhet të mbulohet nga importi. Dhe në kushtet e kërkesave të shtuara për energji në nivel global, çmimi është i lartë me efekt në rritjen e tarifave për konsumatorin e fundit.
Në bursën hungareze të energjisë elektrike (HUPX) - që merret si referencë shkaku i afërsisë gjeografike, një megavat energji elektrike në gusht të vitit 2022 arriti vlerë rekorde prej 850 eurosh. Diku u nisur nga kjo, çmimet mund të rriten edhe më shumë në sezonin e dimrit, kur edhe rritet kërkesa për konsum.
Në fillim të vitit që lamë pas, rënia e njësisë B2 të termocentralit “Kosova B” i kushtoi Kosovës miliona euro. Vetë kryeministri Albin Kurti në një seancë të Kuvendit të Kosovës, teksa fajësoi opozitën aktuale për mosinvestime në termocentrale, ka thënë se për një ditë u importua energji në vlerë 2.5 milionë euro.
“Nuk ka ra menaxhmenti, pra, ka ra turbina. Sa i përket filterave, ata kanë deshtë me i instalu filterat, por kur kanë shku aty e kanë pa që është llom, duhet niher bojlerat tani filterat. Ju s’i keni bërë as bojlerat, as filterat. Nuk ka filtera pa bojlera. Tash ne do t’i vendosim bojlerat që t’i vendosim edhe filterat”, ka thënë Kurti.
Varshmëria nga importi ndikoi që edhe gjatë verës së vitit 2022 të kthehen reduktimet e rrymës nga 2 deri në 4 orë në ditë. Shkak për këtë ishin remontet në njësitë e termocentraleve të KEK-ut dhe një pjesë e fajit iu faturua Qeverisë.
Në shkurt, kur u shqyrtuan tarifat e energjisë, ajo u zotua se do të ndante 90 milionë euro në mënyrë që të mos rritej çmimi i energjisë. Tarifat ndryshuan vetëm për konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë mbi 800 kilovat në muaj. Ata do të paguajnë dyfishin për çdo kilovat që kalon mbi këtë prag.
Situata u përmirësua pas alokimit të mjeteve nga Qeveria. Por kjo i alarmoi qytetarët se i pret një dimër i vështirë. Shumë nga ta filluan që të gjejnë zgjidhje alternative për ngrohje, por se edhe format e tjera të ngrohjes u prekën nga çmimet e larta – peleti u tregtua me 500 euro për ton, ndërsa drutë deri në 70 euro për metër kub.
Qeveria miratoi ndërkohë Ligjin për caktimin e çmimeve tavan për produkte bazike, ku futi edhe peletin dhe lëndë djegëse me bazë druri në të. E në tetor Qeveria hapi thirrjen për subvencionim të klimave, pompave termike e kaldajave, në vlerë nga 40 deri në 70 për qind. Këto masa janë konsideruar të vonuara dhe me ndikim të vogël nga njohës të kësaj fushe.
Thirrjet për kursim
Edhe pse u vonuan me masa, qeveritarët vazhdimisht kanë bërë thirrje për kursim të energjisë, herë nga Qeveria e herë nga Kuvendi.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nga foltorja e Kuvendit i ftonte qytetarët që të izolojnë shtëpitë, ani se një masë të tillë nuk e kishte paraparë fare në përballje me krizën energjetike.
“Pritjet për dimrin janë plotësisht të paqarta. Çka mund të bëjë secili e secila nga pjesën e tij të vogël është kursimi brenda mundësive çdo ditë. Çka mund të bëjnë familjet është të marrin masat për izolimin e shtëpive para se të vijnë temperaturat e ulëta”, ka thënë ajo.
Nuk i përjashtoi as reduktimet e energjisë, por as shtrenjtimin e saj, që mund të bëhet gjatë shqyrtimit të rregullt të procesit tarifor në mars.
Pavarësisht thirrjeve dhe këshillave për kursim të energjisë, nga KEDS-i kanë bërë të ditur se kërkesa për rrymë është rritur për 12 për qind gjatë shtatorit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Por ministrja Rizvanolli në një konferencë për media ka thënë se gjatë muajit tetor ka pasur ulje të konsumit për 15 për qind. Këtë sukses ua atribuoi masave të ndërmarra nga Qeveria dhe thirrjeve për kursim.
Por ajo nuk përmendi motin e mirë që ndikoi që të mos ketë rritje të konsumit, pasi, siç dihet, një pjesë e madhe e energjisë shkon për ngrohje gjatë dimrit.
Rritja e çmimeve varfëron qytetarët
Rritja eventuale e tarifave të energjisë do të ndikojë në mirëqenien e qytetarëve. Efektet e krizës do të prekin të gjitha aspektet e shoqërisë duke filluar nga inflacioni më i lartë dhe rënia e fuqisë blerëse, e deri te pabarazitë dhe efektet në ngadalësimin e transicionit energjetik.
Kriza rriti shpenzimet e familjeve për energji dhe produkte të tjera. Bazuar në një studim të Bankës Botërore mbi Krizën Energjetike në vitin 2022 dhe Anketës së Buxhetit të Familjeve, familja mesatare në Ballkanin Perëndimor shpenzon rreth 7-10 për qind të buxhetit të përgjithshëm për energji.
Kjo do të ndikojë te familjet me të ardhura të ulëta. Sipas studimit - Adresimi i varfërisë energjetike në palët kontraktuese të komunitetit të energjisë, Kosova ka pjesën më të madhe të familjeve që jetojnë në varfëri energjetike, rreth 40 për qind, e pasuar nga Shqipëria me 37 për qind, Maqedonia e Veriut me 33 për qind, Serbia me 22 për qind dhe Mali i Zi me 15 për qind.
Ndërprerjet e energjisë, rënia e Bruto Produktit Vendor dhe rritja e inflacionit do ta përcjellin Kosovën së paku edhe dy vjetët e ardhshëm, derisa të ketë stabilizim të tregjeve dhe të jetësohen investimet e planifikuara në projektet e energjisë së ripërtëritshme.
Strategjia e vonuar
Kosova bazohet 95 për qind në energjinë e prodhuar nga termocentralet. Kapaciteti i dy termocentraleve të KEK-ut, nëse mbetet jashtë prodhimit njësia A5 e “Kosovës A”, nuk e kalon 800-megavatshin. Rreth 100 megavat janë kapacitet instaluese me erë, por për të cilat nuk dihet nëse mund të llogaritet 100 për qind, për shkakun se në fund të vitit 2021, nga acari ishin ngrirë turbinat në Bajgorë.
Investimi në politika të gjelbra është i kushtueshëm, por pa alternativë pas obligimeve që janë marrë në Konferencën e Parisit, ku është vendosur që në vitin 2050 duhet dhënë fund energjisë fosile.
Dhe për të përballuar këtë transicion, Bashkimi Evropian ka miratuar një pako financiare në vlerë prej 9 miliardë eurosh, me mundësinë që edhe vendet e Ballkanit të mund të aplikojnë me projekte konkrete.
Edhe pse vendet e tjera të BE-së dhe të Ballkanit kanë përdorur pakot e rimëkëmbjes për të investuar në politika të gjelbra, një gjë e tillë nuk është bërë nga Kosova. Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike jo vetëm që nuk stimuloi kalimin në një ekonomi të gjelbër, por stimuloi industritë e karburanteve fosile. Mes tyre është edhe lirimi i bizneseve nga pagesa e rentës minerare në periudhën janar 2021 - maj 2021.
U mor edhe vendim për subvencionim të tarifave të BRE-së, por kjo edhe pse u paraqit si mbështetje për ekonominë e gjelbër, ishte bërë për të përfituar pronarët e këtyre burimeve.
Qeveria Kurti pas ardhjes në pushtet refuzoi projektin e shtrirjes së rrjetit të gazsjellësit, projekt i mbështetur nga MCC-ja në vlerë prej 200 milionë euro. Ndërsa këto mjete shkuan për blerjen e baterive që do të ruajnë energjinë, por të cilat nuk do të jenë në funksion deri në vitin 2025.
Në vitin 2022 është miratuar Ligj për burime të ripërtëritshme. Por Kosova deri tani nuk ka mbajtur asnjë ankand për burime të ripërtëritshme.
Në mes të dhjetorit, nëntë muaj më vonë se që ishte premtuar, është miratuar Strategjia dhjetëvjeçare për energji 2022-2031. Strategjia synon që brenda kësaj periudhe kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme të instaluara të jenë 1 mijë e 600 megavat.
Por në të nuk jepen detajet rreth projekteve që planifikohen në këtë fushë. Po ashtu, dokumenti përmend objektivat dhe synimet, por jo edhe afatet dhe projektet që do të realizohen.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar këtë strategji duke thënë se u humbën dy vjet me anulimin e projektit të gazit amerikan.
“Tani u kthehen projekteve të nisura nga ‘regjimet e kaluara’, përfshirë: termocentralin me gaz, Bursën Energjetike me Shqipërinë, apo integrimin e rrjetit energjetik me rajonin”, ka shkruar Hoti.
Qeveria, sipas kryeministrit Albin Kurti, është e përkushtuar për ndërtimin e tregut të përbashkët me Shqipërinë, si dhe bashkë-investim në termocentralin me gaz natyror në Shqipëri.
Në Strategjinë për energji nuk parashihen kapacitete të reja nga hidrocentralet, por vetëm nga era dhe dielli.
Ministrja Artane Rizvanolli ka thënë se shkaku i dëmeve ambientale dhe mungesës së resurseve ujore, nuk parashihen projekte të tilla.
Katër objektivat e tjera janë përmirësimi i besueshmërisë së sistemit dhe sigurisë së furnizimit, dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtëritshme, rritja e efiçiencës së energjisë dhe fuqizimi i konsumatorëve.
Strategjia parasheh që brenda një dekade të shpërbëhen dy njësi të termocentralit “Kosova A”. Ani se këto njësi do të jenë jashtë funksionit, në këtë dokument nuk është përfshirë fare çështja e punëtorëve të KEK-ut që punojnë në to.
Strategjia për energji lë jashtë edhe sektorët e transportit dhe të industrisë. Kjo qasje sektoriale është kritikuar se nuk e mundëson një transicion të drejtë dhe efikas të energjisë.
Në shoqërinë civile kanë vlerësuar se lënia anash e këtyre komponentëve mund ta minojë procesin e përgjithshëm të dekarbonizimit.
Gjatë dhjetorit janë shtyrë para edhe dy projektet të energjisë së ripërtëritshme për të cilat janë nënshkruar marrëveshjet e financimit, siç është projekti “Solar për Kosovën-Ngrohja qendrore”, i cili do të shtrijë rrjetin e ngrohjes me koogjenerim nga energjia solare. Nga ky projekt do të përfitojnë rreth 38 mijë konsumatorë. Një projekt tjetër është ai për parkun solar në afërsi të KEK-ut, përmes të cilit do të shtohen 70 megavat nga energjia me diell, e që do të jetë investim gjerman.
Rryma në veri
Strategjia nuk e zgjidh problemin me rrymën në veri. Banorët e katër komunave veriore për më shumë se dy dekada vazhdojnë të mos paguajnë për energjinë e shpenzuar. Kjo situatë do të vazhdojë së paku edhe në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.
Edhe pse më 21 qershor u arrit marrëveshja për Udhërrëfyesin për Marrëveshjen për Energji, i cili parashihte që brenda 100 ditësh të fillonte inkasimi i mjeteve në atë pjesë, kjo nuk ndodhi. Pas kalimit të afatit 100-ditor, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe kompania serbe “Elektrosever” kanë arritur një marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, “Elektrosever” ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve në veri. Por pikat e tjera të marrëveshjes mbetën të pazbatuara. E palët e përfshira në zbatimin e marrëveshjes shfrytëzuan tensionet e krijuara në veri pas vendimit të Qeverisë për targat për të zvarritur procesin.
Vetëm për një dekadë, humbjet e energjisë në atë pjesë të Kosovës arritën në 132 milionë euro. Sipas një raporti të Institutit GAP, kostoja e shpenzuar për mbulimin e këtyre shpenzimeve gjatë dekadës së fundit është 11 milionë euro në vit.
“Nga viti 1999 deri në 2017, kostot e këtyre shpenzimeve janë konsideruar si ‘humbje të energjisë’ dhe rrjedhimisht janë përfshirë në faturat e konsumatorëve të qyteteve të tjera të Kosovës. Është llogaritur që përafërsisht faturat e qytetarëve në këtë periudhë ishin për rreth 3.5 për qind më të shtrenjta”, thuhet në raport.
Vetëm gjatë vitit 2021 kostoja ka qenë afro 40 milionë euro. Ndërsa nga Qeveria janë mbuluar 7.6 milionë euro, ndërsa pjesa e tjetër prej 33 milionë euro nga KOSTT-i me rekomandim të Kuvendit të Kosovës.
Në dhjetor KOSTT-i ka kërkuar mjete shtesë nga Qeveria për të mbuluar këto shpenzime. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se kjo çështje duhet të zgjidhet pasi nuk mund të vazhdohet përjetësisht.
“Është çështje parimore që qytetarët në të gjithë vendin duhet të paguajnë për shërbimet që marrin dhe sigurisht duhet të keni cilësinë dhe shërbimet e duhura”, ka theksuar ajo.
Derisa Qeveria të gjejë një zgjidhje për qasjen në atë pjesë të vendit, rryma e konsumuar nga banorët e katër komunave veriore do të vazhdojë të paguhet nga taksat e qytetarëve.