Arbëri

Vapa e qershorit i nxit qytetarët të kërkojnë freski buzë liqeneve, mjekët apelojnë për kujdes

Temperaturat përvëluese që mbizotëruan gjatë ditës kanë detyruar shumë qytetarë që freskinë ta gjejnë në liqenin e Badocit. Teksa në Institutin Hidrometeorologjik paralajmëruan për valë të shpeshta të të nxehtit, mjekët rekomanduan që shtresat më të cenueshme të qytetarëve, të tregojnë kujdes të shtuar

Peshkimi, noti dhe lundrimi me anije ishin disa nga aktivitetet që qytetarë të shumtë zgjodhën t’i ushtronin për të gjetur freski buzë liqenit të Badocit, në ditën kur temperaturat kanë variuar nga 30 deri në 34 gradë Celsius. 

Faruk Konushefci tash e shumë vite e ka bërë këtë liqe destinacion të përjavshëm në verë. Ndonëse i vetëm, shoqërinë e gjen tek pasioni i tij, peshkimi.

“Gjithmonë ne e kalojmë kohën e lirë këtu në Badoc, sidomos të pjesa e liqenit. Peshkojmë dhe kur janë temperaturat e larta gjithmonë ikim prej kryeqytetit, prej betonit dhe vijmë në natyrë”, ka thënë Konushefci.

Freskia e ujit e ka sjellë edhe Flamur Vërnikun nga Kaçaniku, bashkë me familjen.

“Sot kemi dalë me familje me shiju ketë pamje, sepse shumë nxehtë. Vijmë këtu te liqeni i Badocit, te liqeni i Batllaves, dhe vendet tjera që ka freski”, u shpreh Vërniku.

Java e fundit në Kosovë ka shënuar rritje të temperaturave.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat pritet të bien për 3-4 gradë gjatë javës në vijim dhe nuk parashihen ekstreme për të paktën 10 ditët e ardhshme.

“Trendët e këtyre masave të ngrohta që te ne zakonisht vijnë nga Afrika Veriore, do të paraqiten në shumë episode, duke ngritur merkurin në termometër diku rreth 37-39 gradë në disa zona dhe duke I mbajtur temperaturat me vlera mbi 30 gradë për periudha të gjata kohore”, ka thënë Besim Aliu, koordinator dhe parashikues i motit në IHMK. “Lëvizja e këtyre masave të nxehta mbi territorin tone shpeshherë do të krijojnë kushte që në shumë zona të paraqiten kushte për fenomene të padëshiruara, e kam fjalën për breshër”.

Mjekja Vjollca Zeqiri rekomandon kujdes të shtuar gjatë ditëve të nxehta, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna.

“Ne duhet ta shmangim daljen nga ora 10 deri në ora 17:00 sepse është kulminacioni i temperaturave të larta. Duhet të vishemi në mënyrë komode, të veshim kapela të bardha, të vishemi komfort me veshje të gjëra”, ka thënë mjekja, Vjollca Zeqiri. “. Ushqimi duhet të jetë sa më i lehtë, i përbërë me pemë dhe perime dhe t’i shmangeni ushqimit të fërguara me shumë mëlmesa, të njelmëta apo me shumë sheqer. Të përdormi peme, perime, supë, çajna dhe të konsumojmë ujë”.

Ajo shtoi se për momentin nuk ka fluks të madh pacientësh, por paralajmëroi se nxehtësia mund të përkeqësojë gjendjen shëndetësore. 

“Për momentin nuk kemi ndonjë fluks të madh mirëpo kemi pasur edhe gra shtatzëna që kanë pasur simptoma pak më shqetësuese dhe fëmijë por jo me simptoma alarmante. Ndikimi i nxehtësisë mund të jep simptoma të lehta mirëpo nëse na nuk i menaxhojmë mirë atëherë mundem me të përkeqësohet deri në format më të rënda siç është rraskapitja ose goditja nga nxehtësia”, u shpreh Mjekja, Vjollca Zeqiri.

Krahas liqeneve në vend, fundjava që është lidhur edhe me festën e Kurban Bajramit, i ka gjetur shumë kosovarë edhe në bregdetin e Shqipërisë.