Lajmi i transmetuar nga RTK-ja, e që përmban akuzën se një portal në Kosovë kontrollohet nga Radoiçiqi e një tjetër financohet nga Serbia, ka nxitur reagime te komuniteti i gazetarëve. Edhe punonjës të RTK-së janë distancuar nga lajmi, i cili u shpërnda prej shumë eksponentëve të partisë në pushtet.
Ka nxitur valë reagimesh në Prishtinë transmetimi që ia ka bërë RTK-ja në lajmet qendrore raportit të një mediumi të Bosnjë e Hercegovinës, e në të cilin theksohet se portali “Periskopi” është nën kontrollin e Milan Radoiçiqit, ndërsa “Nacionale” ka marrë transaksion milionësh nga Serbia.
Lajmi u shpërnda masivisht në rrjete sociale nga zyrtarë të Vetëvendosjes, subjektit politik që qeverisë me vendin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEdhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila u intervistua nga Prokuroria Speciale për disa deklarata publike, i bëri thirrje Prokurorisë t’i hetojë pretendimet e portalit boshnjak, ndonëse në të nuk është publikuar ndonjë provë.
“Në RTK Live është publikuar një hulumtim që ndërlidhet me tendencën e Serbisë për të blerë media në Ballkan. Në këtë rast përmenden dy portale, që është ‘Periskopi’ dhe ‘Nacionalja’, që thuhet sipas hulumtimit se financohen nga Serbia, Qeveria e Serbisë. Kam ofruar pra, para prokurorisë edhe këtë lajm që është publikuar nga RTK Live, sepse është e rëndësishme që të dimë se kush nga portalet financohet nga Serbia”, ka thënë Haxhiu.
E në dy reagime të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, të lëshuara gjatë ditës, theksohet se fushata si kjo rrezikojnë sigurinë e gazetarëve të të dyja mediave që janë apostrofuar në artikullin e transmetuar edhe në televizionin publik.
Gjatë ditës, janë distancuar nga lajmi i transmetuar në RTK një numër i madh gazetarësh e redaktorësh të transmetuesit publik. Shumë nga ta shprehën keqardhje për situatën. Por, menaxhmenti i RTK-së nuk ka lëshuar ndonjë sqarim.
Sivjet, Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij. Në mesin e 180 shteteve, u rendit në të 75-in, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.