Arbëri

UP-ja ul kriteret për t’u bërë profesor

Për t’u bërë profesor në UP tani nuk është e domosdoshme të kesh numrin e punimeve minimale që i kërkon statuti. Nëpërmjet një rregulloreje të re që e ka miratuar ky institucion, një publikim shkencor mund të barasvlerësohet me tri komunikime të shkurtra apo dy raporte të rastit. Profesori Bardh Rugova thotë se është e papranueshme që kriteri të ndryshohet në masën sa punimi shkencor të zëvendësohet me përmbajtje që nuk kanë natyrë shkencore

Universiteti i Prishtinës (UP) ka ulur kriteret për gradat më të larta akademike.

Statuti që e ka miratuar vjet Kuvendi kërkon që për thirrjen profesor asistent, kandidati duhet të ketë së paku 2 publikime në revista me recension ndërkombëtar, për thirrjen profesor i asociuar 3 publikime, kurse për thirrjen më të lartë, atë të profesorit të rregullt, së paku 4 publikime shkencore.

E, nëpërmjet një rregulloreje që e ka miratuar në prill UP-ja, kandidatëve mund t’u barasvlerësohen me një publikim shkencor edhe përmbajtje të tjera.

“Raportet apo raportet e rastit dhe komunikimet e shkurtra (short communication) që kanë metodologji, rezultate origjinale autoriale dhe strukturë të qartë, të cilat publikohen pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, njihen në proceset e avancimit, duke barasvlerësuar tre (3) short communication me një (1) punim (hulumtim origjinal), dy (2) case report me një (1) punim (hulumtim origjinal), por, në totalin e punimeve të publikuara që kërkohen për pozitën përkatëse, mund të shfrytëzohen si barasvlerësim vetëm për një (1) punim”, thuhet në rregullore.

Profesori i Fakultetit të Filologjisë, Bardh Rugova, thotë se është e papranueshme që kriteri për thirrje akademike të ndryshohet në masën sa punimi shkencor të zëvendësohet me përmbajtje që nuk kanë natyrë shkencore.

“Nuk ka alternativë në kërkimin shkencor brenda botës akademike, nuk ka alternativë të saj. Një punim që botohet diku tjetër, që nuk e ka natyrën shkencore, që nuk i nënshtrohet vlerësimit akademik prej komunitetit akademik, ai nuk i përmbush kushtet e të qenit punim studimor shkencor”, ka thënë ai.

Profesori Rugova ka treguar se çfarë e bën një punim që të jetë shkencor.

“E kemi një hipotezë e cila do të na kërkojë një metodë, e cila do të na gjenerojë të dhëna, të cilat do të analizohen në një rezultat dhe pastaj me deduksionin e atij rezultati do të nxjerrim vërtetimin ose jo të asaj hipoteze. Është mekanizmi i vetëm brenda komunitetit studimor për kërkimin e së vërtetës. Në botën shkencore kjo është e vetmja”, ka shpjeguar Rugova.

E, prorektori i UP-së për çështje të personelit akademik dhe për botime, Naim Jerliu, insiston se kjo normë e rregullores është në përputhje me statutin e ri të UP-së. Në interpretimin e tij, ndryshimet kanë rritur kriteret.

“Mbështetur në këtë Statut, rregullorja e re ka ngritur më tej kriteret e përzgjedhjes dhe avancimit, duke synuar të nxitet më tej ekselenca akademike, në përputhje me objektivat strategjike të Universitetit të Prishtinës”, ka thënë Jerliu.

Neni 158 i Statutit të UP-së precizon se kriteret e zgjedhjes, rizgjedhjes apo mirëmbajtjes së titujve akademikë, të precizuara në këtë akt që e ka miratuar Kuvendi i Kosovës, konsiderohen minimumi i kërkesave. Në këtë nen lihet mundësia që kriteret të ndryshohen, vetëm për nevoja të universitetit për akreditim apo për përcjellje të trendëve botërorë të arsimit të lartë.