UNMIK-u ka shprehur shqetësimin për mbylljen e zyrave të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale në Mitrovicë, të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
Në një postim në Facebook, UNMIK ka bërë thirrje që të gjitha çështjet e pazgjidhura të adresohen në mënyrë konstruktive përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“UNMIK është i shqetësuar për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia në veri të Kosovës, duke përfshirë Fondin e Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore dhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Republikës. Për më tepër, shumë në komunitetet jo-shumicë, duke përfshirë edhe serbët e Kosovës, vazhdojnë të përballen me sfida në marrjen e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe lejeve të vlefshme të qëndrimit, të cilat mund të pengojnë aftësinë e tyre për të regjistruar automjetet e tyre dhe për të marrë targa.
Më tej thuhet se veprimet në këto çështje, të kryera pa konsultim ose njoftim paraprak për komunitetet e prekura, “ndikojnë negativisht në jetën e tyre të përditshme dhe të drejtat socio-ekonomike, pengojnë integrimin e tyre dhe kufizojnë qasjen në kujdes shëndetësor dhe shërbime të tjera thelbësore”.
Të enjten, me asistimin e Policisë, Posta e Kosovës e mori nën kontroll objektin në të cilin operonte Posta e Serbisë në Graçanicë. Ngjashëm ka vepruar edhe në komunat veriore më herët.