Ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, vlerëson se me zgjedhjet e fundit të mbajtura në fundjavë, Shqipëria i është afruar pragut të Bashkimit Evropian.
Edi Rama është duke u parashikuar të marrë edhe mandatin e katërt në postin e kryeministrit të Shqipërisë. Partia Socialiste e tij po kryeson dukshëm.
“Brenda standardeve të Shqipërisë, siç më thanë edhe miq nga Shqipëria, janë zgjedhjet më të mira të bëra. Plus jashtëzakonisht i mirë në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë. Është në pragun drejt Bashkimit Evropian me këto zgjedhje”, ka thënë Ukshini në “Interaktiv” të KTV-së.
Ukshini ka thënë se marrja e mandatit të katërt nga Rama, nuk i bën mirë demokracisë.
“Sigurisht nuk i bën mirë demokracisë”, tha Ukshini.
Ukshini ka thënë se Rama e ka reformuar jashtëzakonisht shumë Partinë Socialiste.
“E ka përcjellë në mënyrën më të mirë gjithë korpusin e politikanëve të kohës së Fatos Nanos, në kuptimin duke u thënë ‘hap krahun’”, tha Ukshini.
Ukshini ka thënë se Partia Socialiste në të ardhmen rrezikon të pësojë si Partia Demokratike e Shqipërisë, kur të përfundojë periudha e Ramës.
“Mund të themi se tash Rama është pa pasardhës në parti”, tha Ukshini.
Ukshini: Sali Berisha i takon historisë, por nuk arriti ta disiplinojë vetveten
Sa i përket për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Ukshini ka thënë se ai i takon historisë dhe nuk arriti ta disiplinonte vetveten.
“Sali Berisha mendoj se i takon historisë. Ka një meritë dhe kapitull të rëndësishëm në historinë e tranziconit shqiptar. Por, nganjëherë, siç thonë filozofët, ta mundësh vetveten është problem. Ai s’ka arritur ta disiplinojë vetveten, ambiciet e tij”, tha Ukshini.