Arbëri

Uji nga Badovci mbetet i papijshëm

uji i pijes

Uji që vjen nga fabrika për trajtimin e ujit në Badovc vazhdon të mos rekomandohet për pije, për shkak të vlerës së rritur të turbullirës, pas vërshimeve në nivel vendi.

Lajmërimi është bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës që ka theksuar të enjten se cilësia e ujit në rajonin e Prishtinës ka mbetur sikur e një dite më parë.

E në rajonin e Prishtinës, brenda standardeve është uji që vjen nga fabrikat për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe Batllavë.

Ndërkaq sipas njoftimit nga IKSHPK-ja të enjten, ndryshime nga një ditë më parë ka pasur në Gjilan dhe Pejë.

Rajoni i Gjilanit

Në zonën e Kamenicës – Stacioni nr. 1 dhe Besa Center, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara. Në Stacionin e pompimit nr. 2, Bahqja dhe fshatin Berivojcë, është vërejtur rritje e vlerave të nitrateve mbi kufijtë e lejuar dhe uji në këto zona nuk rekomandohet për pije.

Rajoni i Pejës

Pejë, Deçan, Junik dhe Istog, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara për pije. Klinë-Rrjeti nga puset dhe rrjeti nga burimi Jarinë, si pasojë e vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për pije.