Arbëri

Udhëheqësit e Graçanicës premtojnë bashkëpunim me të gjitha komunitetet

Kryetari i zgjedhur i Komunës së Graçanicës, Novak Zhiviq, është zotuar se do të angazhohet për bashkëjetesë dhe punë të përbashkët me të gjitha komunitetet, në seancën ku ai dhe anëtarët e tjerë komunalë e bënë betimin të premten. Para se të niste seanca, zyrtarë të Ministrisë së Pushtetit Lokal që e monitoruan atë kërkuan që flamuri i Kosovës të ketë dukshmëri më të madhe, ndryshe nga siç ishte lënë në qoshe të sallës

Kryetari dhe anëtarët e zgjedhur të Kuvendit Komunal të Graçanicës janë betuar të premten, në seancën solemne, ku u zgjodh edhe kryesuesi kësaj komune. Të dy këto pozita do t’i kenë përfaqësues të Listës Serbe, që doli subjekt i parë në zgjedhjet e fundit lokale. 

Përgatitjet për seancën ishin bërë më herët, ku brenda sallës ishin vendosur flamuri i Kosovës, ai i BE-së dhe logoja e Komunës. 

Por para se të niste seanca, zyrtarë të Ministrisë së Pushtetit Lokal që monitoruan atë kërkuan që flamuri i Kosovës të ketë dukshmëri më të madhe, ndryshe nga siç ishte lënë në skaj. 

Ata u kujdesën që edhe dokumentet e betimit t’i përmbajnë simbolet ashtu siç e përcakton Ligji për Vetëqeverisje Lokale. Pasi u siguruan se ato janë në rregull, seanca nisi me kryesimin e anëtarit më të vjetër, që fillimisht kërkoi të bëhej betimi e më pas të nënshkruheshin anëtarët. 

Betimin e dha edhe kryetari i sapozgjedhur i Graçanicës, që përfaqëson Listën Serbe, Novak Zhiviq.

Kuvendi i ri i Graçanicës përbëhet nga 19 këshilltarë - 13 nga Lista Serbe, katër nga Aleanca për Shqiptarët dhe dy deputetë nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit. 

Zhiviq merr postin e kryetarit pasi në katër vjetët e fundit kjo komunë u drejtua nga Ljiljana Zubariq. 
Zhiviq u zotua për bashkëpunim me të gjitha komunitetet për të mirën e përgjithshme. 

“Jemi këtu për të treguar se bashkëjetesa, respekti i ndërsjellë dhe puna e përbashkët janë jeta jonë e përditshme, pavarësisht nga përkatësia kombëtare dhe fetare. Kjo është e vetmja rrugë e vërtetë drejt përparimit. Të nderuar këshilltarë, çdo vendim, çdo hap që ndërmerrni kërkon mençuri, guxim dhe mbi të gjitha durim. Ju bëj thirrje të punoni së bashku, pavarësisht dallimeve politike, në një atmosferë vlerësimi, respekti dhe ligjshmërie, për të mos lejuar që interesat personale, politike ose të çdo interesi tjetër të na ndajnë. Ju bëj thirrje të angazhoheni në një dialog të hapur, të ndershëm dhe konstruktiv, si dhe të merrni pjesë aktive në marrjen e vendimeve që do të formësojnë të ardhmen tonë të përbashkët”, ka thënë ai. “Media është partneri ynë i fortë dhe nëpërmjet shërbimeve tona dhe meje personalisht do të vëmë në dispozicion çdo informacion me rëndësi publike”. 

Në këtë seancë Lista Serbe e propozoi Milan Dimitrijeviqin për kryesues të Kuvendit Komunal, i cili u zgjodh me 14 vota pro dhe katër abstenime. 

“Shpresoj për punë të përbashkët pa fërkime të mëdha kundërshtuese. Shpresojmë që të gjithë do të punojmë në interes të komuniteteve tona, të të gjithë komunës dhe të gjithë qytetarëve për të cilët u zgjodhëm. Është një nder i madh për mua që jam këtu për herë të dytë dhe më jep kënaqësi të madhe të shoh përsëri disa fytyra të vjetra këtu, por edhe që përmes këtij mandati të dytë të mësojmë dhe të bëjmë më shumë për të gjithë qytetarët e Komunës së Graçanicës”, tha Dimitrijeviq. 

Pas zgjedhjes së kryetarit, seanca u mbyll dhe u la që organet e tjera sikurse nënkryetari për komunitetet të zgjidhen në seancën e radhës. 

Këshilltari nga Aleanca për Shqiptarët, Leutrim Ajeti, që pret të jetë nënkryetar i Komunës, tha se rritja e numrit të këshilltarëve do të thotë më shumë rol në komunën që popullohet kryesisht me serbë. 

“Gjithçka ishte në rregull, në seancën inauguruese, kjo u vlerësua dhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me të dërguarit që i kishte këtu. Unë i dëshiroj punë të suksesshme edhe kryetarit të Kuvendit, edhe Kryetarit të Komunës, gjithashtu edhe përfaqësuesve. Në këtë rast, në Asamblenë Komunale ne tash përfaqësohemi nga katër veta nga një se ishim më herët, pra Aleanca Shqiptare po rritet dhe kjo ka shumë rëndësi. Ne do të ngremë zërin për të gjitha komunitetet, në këtë rast që të ketë drejtësi dhe barabarësi për të gjitha komunitetet në Komunën e Graçanicës”, ka potencuar Ajeti. “Kur të marrim edhe nënkryetarin do të jemi më shumë edhe në aspektin e ekzekutivit, pra do ta kemi edhe një pozitë në ekzekutiv që është e garantuar me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, si dhe do ta kemi edhe zëvendëskryesuesin e Kuvendit, pra në seancën e ardhshme”. 

Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor, Lista Serbe ka fituar 63.98 për qind, Aleanca për Shqiptarët 22.95, partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë 10 për qind, kurse Lëvizja Popullore Serbe 2.1përqind. 

Lista Serbe mori pushtetin edhe në komunat e tjera në jug me shumicë serbe - Shtërpcë, Novobërdë, Partesh dhe Ranillug. Sipas raportimeve të mediave, edhe kryetarët e këtyre komunave në fjalimet e tyre kanë promovuar bashkëjetesën dhe angazhimin për të gjitha komunitetet. 

Seanca konstituive në Kllokot, ku po ashtu fitoi Lista Serbe, do të caktohet më vonë.