Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur sot në Durrës për Samitin e Iniciativës Brdo-Brioni, i cili fokus kryesor ka perspektivën evropiane të rajonit. Nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, Samiti organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq, dhe drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Begaj: Sfidat e sigurisë kërkojnë më shumë koordinim në rajon
Në mbyllje të konferencës së Samitit të Procesit të Brdo-Brionit në Durrës, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se në samitin e sotëm është theksuar se Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike.
Megjithatë, sipas tij, rajoni përballet me sfida të sigurisë që kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë mes vendeve.
“Rajoni ynë përballet me sfida, sfida të sigurisë, të cilat kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinim më të ngushtë mes nesh. Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për vendet e rajonit tonë përbën një mundësi të çmuar për zhvillim ekonomik, pasi krijon qasje në instrumente financiare të Bashkimit Evropian, lehtësira tregtare dhe programe të përbashkëta për zhvillim”, ka thënë ai.
Begaj ka shtuar se bashkë me liderët e tjerë të rajonit kanë diskutuar sfidat aktuale gjeopolitike, si dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal.
“Gjithashtu, diskutuam për rrugët e bashkëpunimit rajonal, me qëllim krijimin e kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin tonë, në vendet e tyre. Në këtë kuadër, vlerësojmë veçanërisht takimin e drejtorëve të agjencive kombëtare të punësimit, si një nismë që do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional në nivel rajonal. Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm në udhëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, është shprehur ai, raportoi "Klan TV ".
Ai tutje ka përmendur se Shqipëria synon të përfundojë negociatat me BE-në deri më 2027 dhe të anëtarësohet deri në vitin 2030.
“Aspirata e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një mision kombëtar. Shqipëria synon të përfundojë negociatat teknike deri në vitin 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030. Në mbyllje, dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë pjesëmarrësit e sotëm të takimit dhe në mënyrë të veçantë të falënderoj Presidentin e Kroacisë dhe Presidenten e Sllovenisë për gjithçka, për angazhimin e tyre konstruktiv dhe shumë të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Vuçiq: U vendos që rruga evropiane është strategjike, pati mosmarrëveshje me Osmanin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në seancën plenare të samitit të Procesit Brdo-Brion, u vendos që rruga evropiane është një rrugë strategjike për rajonin dhe deklaroi se pati mosmarrëveshje mes tij dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton “RTS”.
“Këtu nuk ka shtete, ne shkojmë vetëm me emra, kështu që kjo është diçka që është një trashëgimi e mirë e këtij procesi. Kam thënë dhe kam folur për atë lloj hipokrizie, standarde të dyfishta, ku secili prej nesh në fakt përpiqet të marrë diçka në kurriz të tjetrit dhe kemi pak qasje të përbashkët në zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiq për gazetarët.
Ai tha se në samit u diskutua edhe për integritetin territorial.
“Imagjinoni kur Vjosa Osmani vjen dhe flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Dhe pastaj barku juaj kthehet përmbys, dhe të gjithë të tjerët dëgjojnë, duke tundur kokën...Kështu që ne ia kujtuam ditët e saj të turizmit në Kombet e Bashkuara, uruam më shumë turizëm në jetën e saj dhe kaq”, tha Vuçiq.
Ai deklaroi se në samit u theksua se do të punonin bashkë për integrimin evropian. 
 
Osmani: Vuçiqi tentoi ta prishte takimin me fyerje e arrogancë, iu kundërpërgjigjëm me argumente
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për media pas Samitit të Brdo-Brionit në Durrës, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka tentuar ta prishë takimin, duke u drejtuar me arrogancë e fyerje.
“Si në takimet tjera të Brdo-Brionit, ndoshta në një dozë më të madhe, Vuçiqi i Serbisë iu drejtua Samitit me ofendime e arrogancë, në tentim që ta prishte takimin. Arritëm në fund të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet, e natyrisht për çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumentet në anën e së drejtës që janë fuqizuar e mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare nëpërmjet vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka theskuar Osmani, transmeton “RTSH”.
Osmani ka thënë se Kosova është për bashkëpunim rajomal, por se do ta mbrojë interesin shtetëror, sovranitetin dhe integritetin territorial.
“Edhe pse Vuçiqi kishte ankesa për paktin tonë të marrëveshjes së përbashkët Kosovë, Shqipëri, Kroaci në fushën e mbrojtjes, ai mori konfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë. Përgjigja ime ishte se në tërë historinë e ekzistencës sonë si komb, ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar askënd, asnjëherë se kemi pushtuar askënd, por gjithnjë e kemi mbrojtur veten dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë veten dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani. “Aleanca jonë është aleancë për t’u mbrojtur nga rreziqet që vijnë nga të tjerët. Në rastin tonë si Republikë e Kosovës rreziku vjen nga Serbia dhe natyrisht do të vazhdojmë ta fuqizojmë ushtrinë tonë me qëllim që të mbrohet çdo centimetër i territorit të Kosovës dhe liria e fituar me shumë sakrificë e mund”.
Osmani ndërkohë ka thënë se Kosova ndonëse ka plotësuar të gjitha kushtet, e është në linjë plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, ajo vazhdon të jetë nën sanksione të BE-së.
“Askush nga shtetet anëtare nuk është e gatshme të japë arsye pse janë sanksionet ende në fuqi, ndonëse të gjitha kushtet që ishin vendosur me Marrëveshjen e Bratislavës janë plotësuar”, tha Osmani.
Milanoviq: Kroacia e gatshme ta ndihmojë rajonin pa dallim
Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, ka shprehur gatishmërinë për ndihmën e Kroacisë në rajon pa dallim.
Në konferencën me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe homologen e Sllovenisë, në mbledhjen e sotme në Durrës për Samitin e Iniciativës Brdo-Brion, Milanoviq ka thënë se është shumë e rëndësishme kur flitet në këtë nivel dialogu.
“Jemi pjesë e këtij sistemi dhe do të mbetemi pjesë e sistemit. Duhet të mundohemi të bëjmë të gjitha lëvizjet politike. Pajtohem me çfarë thanë kolegët e mi”, ka deklaruar ai.
Milanoviq tutje ka shprehur dëshirën që forumi i ardhshëm të zhvillohet në Kroaci.
Ndërsa presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, u ndal te procesi i integrimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Sllovenia do të jetë promovuese duke gjetur zgjidhje për të përshpejtuar procesin. Na duhen 27 vende që duhet ta mbështesin. Mbani mend që BE u ngrit si proces paqeje dhe për mua kjo është gjëja më e rëndësishme”, deklaroi ajo.
Liderët e rajonit mbërrijnë në Durrës për Samitin e Brdo-Brionit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, bashkë me presidenten e Sllovenisë Natasha Pirc Musar e presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, dy prej nismëtarëve të samitit po presin liderët e rajonit në nisje të Samitit të Iniciativës së Brdo-Brionit, që po mbahet në Durrës.
Aty ka arritur edhe presidentja Vjosa Osmani.
Liderët që marrin pjesë përveç Osmanit, janë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Presidenti i
Malit të Zi Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Në thelb të diskutimeve në Samitin e Iniciativës Brdo-Brioni do të jetë Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, një instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, i cili synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së.
Sllovenia, një nga nismëtaret e procesit që filloi në vitin 2013, pritet të theksojë edhe një herë se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor mbetet mjeti “më efektiv gjeopolitik për të siguruar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon.”
Përveç rritjes ekonomike, takimi do të fokusohet edhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar të gjithë anëtarët e Iniciativës.
Kosova nga Plani i rritjes pritet të përfitojë rreth 880 milionë euro.
Përfitimet më të mëdha do t’i ketë Serbia me mbi 1.5 miliard pasuar nga Shqipëria me 920 milionë euro, Bosnja dhe Hercegovina me 900 milionë euro, Maqedonia e Veriut me mbi 750 milionë si dhe Mali i Zi me 380 milionë.
Iniciativa Brdo-Brioni, e cila synon nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimin evropian, mbahet çdo vit që nga themelimi i saj në vitin 2013.
Vitin e kaluar, Samiti u zhvillua në Mal të Zi.
Vjet, udhëheqësit u zotuan për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, reforma të mëtejshme, dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për rajonin.
Takimi i këtij viti në Durrës pritet të vijojë me të njëjtin zotim, duke i dhënë rëndësi të veçantë dimensionit ekonomik.
Begaj: Bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në BE
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Procesi Brdo-Brioni, është mekanizëm i rëndësishëm rajonal. Begaj në hapje të seancë në Durrës, tha se bashkëpunimi rajonal mbetet instrument kryesor i integrimit të rajonit në Bashkim Evropian.
“Sot Shqipëria mikëpret Samitin e Procesit Brdo-Brioni. Bashkë me Slloveninë dhe Kroacinë si bashkëkryesuese të Procesit të Brdo-Bridonit, vlerësojmë forcimin e rolit të kësaj platforme si mekanizëm i rëndësishëm rajonal. Temat që do të diskutohen sot lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhënien e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, planin e rritjes së BE-së, rininë...Shqipëria mbështet dialogun rajonal, me fokus bashkëpunimin dhe procesin e integrimit evropian. Vlerësojmë progresin e arritur në këto drejtime. Për ne bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në BE”, ka thënë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
 
             
                                                                                                             
                                                                                                             
                                                                                                             
                                                                                                             
                                                                                                            