Gjykata Themelore në Gjakovë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim 15 kryekomisionerëve të Malishevës, të dyshuar për dallaveret me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Gjykata ka mbajtur dy seanca dëgjimore të mërkurën në orën 18:30 e tjetrën në 21:55, teksa të enjten nxori vendimin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, e vendosur në palestrën e sporteve ‘Habib Zogaj’, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi ekziston rreziku real që, nëse gjenden në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale.
Kryeprokurori i Gjakovës, Enis Gashi, të mërkurën tha se për intervestim ishin ftuar 18 kryekomisionerë dhe 50 komisionerë.
“Deri tash, janë intervistuar 15 kryekomisionerë e 43 komisionerë. 15 kryekomisionerët janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria do të vendosë për masën e sigurisë. Për 43 komisionerët jemi në vlerësim e sipër për ndonjë masë eventuale”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp të mërkurën.
Gashi ka thënë se të gjithë dyshohen për veprën penale “falsifikim i rezultatit të votimit”.