Punëtorët e “Trafikut Urban” po keqpërdorin masat e vendosura anti-COVID-19, duke mos u ndaluar nëpër stacione për të marrë udhëtarët, me arsyetimin se nuk kanë vende bosh.
Me vendosjen e këtyre masave nga Qeveria së Kosovës, autobusët e “Trafikut Urban” lejohen të shfrytëzojnë vetëm 50 për qind të ulëseve, që i bie të marrin vetëm nga 17 udhëtarë brenda.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë një video të xhiruar me telefon nga ekipi i KOHËS, shihet se autobusi i “linjës 4” nuk ndalon fare në stacionin te “banesat e bardha”, përderisa ka ende karrige të zbrazura, me vetëm 13 udhëtarë brenda.
Një stacion më tutje, autobusi ndalet ku zbresin 3 persona, ndërsa brenda hyjnë 4 të tjerë. Qytetarët po maltretohen pasi kjo ndërmarrje publike paguhet nga Komuna e Prishtinës për kilometrat që kalon dhe nuk varet nga biletat e udhëtarëve.
Njësoj ndodh edhe në stacionin afër “rrethit të spitalit” dhe atij te tregu i “Ulpianës”.
Pavarësisht se brenda ka hapësirë, autobusi ndalon për të zbritur udhëtarë në skaj të stacionit që qytetarë të tjerë të mos arrijnë të hyjnë brenda.
Edhe “linja 1” e transportit publik po e bën këtë gjë.
Vjollca Mernica, e cila çdo ditë vjen nga Fushë-Kosova, thotë se është vetë dëshmitare e kësaj gjëje.
Qytetarët thonë se kjo gjë po ndikon që të vonohen edhe për punë.
Drejtori i “Trafikut Urban”, Mentor Isufi, pranon se ndodh kjo gjë, me arsyetimin se konduktorët po mundohen t’i ikin ballafaqimit me qytetarët, pasi ata nuk po kanë mirëkuptim kur nuk iu lejohet të futen të gjithë.
Komuna e Prishtinës ka qëndruar e heshtur, pavarësisht pyetjeve që ka dërguar KOHA.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer ndonjë përgjigje për KOHËN nëse pritet të ndryshojnë këto masa, apo kush ka përparësi për futjen në autobus kur ka shumë udhëtarë.
Masat e njëjta vlejnë edhe për autobusët e linjave private, por të njëjtët nuk i respektojnë ato.