Arbëri

Tollovi e madhe për vaksinim në Lipjan

Në Komunën e Lipjanit ka vazhduar procesi i dhënies së vaksinave për të moshuarit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, por shkaku i pritjeve të gjata pensionistët kanë reaguar ashpër duke kërkuar nga Komuna që t’i lehtësojnë procedurat.

Po ashtu rreth kësaj gjendje ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, dega në Lipjan. Valenton Amerllahu, anëtar i kryesisë së LVV-së në Lipjan ka akuzuar qeverisjen lokale se ka dështuar në menaxhim të procesit të vaksinimit.

Sipas tij, numri i madh i të moshuarve para objektit të QKMF-së, mund të shndërrohet në përhapje të infeksionit Covid19.

“Fotografitë para QKMF-së tregojnë edhe një dëshmi e mungesës së menaxhimit me procesin e dhënies së vaksinave nga autoritetet lokale në Lipjan. Dhjetëra të moshuar po vazhdojnë të presin me orë të tëra para objektit të QKMF-së dhe nëpër sportele për t’u regjistruar për marrje të vaksinës. Kjo është një burim i infeksionit me covid19, prandaj komuna është dashur ta bën një organizim më të mirë për dhënien e vaksinave sepse regjistrimet mund të bëhen edhe nëpër QMF dhe AMF të tjera”, ka thënë Amerllahu.

Sipas tij, deri më tani të moshuarit i kanë marrë vaksinat në katin e tretë duke e vështirësuar edhe më shumë procesin e vaksinave.

“Është shumë shqetësuese se komuna gjithmonë intervenon pasi që dikush reagon për keqmenaxhim të proceseve, siç e kemi rastin e qendrës së vaksinave në katin e tretë derisa të moshuarit nuk kanë mundur të ngjiten shkallëve. Pra pas reagimeve Drejtoria e Shëndetësisë e ka zbritur në katin e parë ordinancën për dhënien e vaksinave. Ne kërkojmë që pas reagimeve tona të lehtësohet edhe procesi për regjistrim për marrje të vaksinave”, ka thënë Amerllahu.

Të moshuarit kanë thënë se komuna është dashur ta organizojë regjistrimin në forma të tjera më të lehta nëpër QMF dhe AMF.

“Është dashur të regjistrohemi nëpër lokalitet tona dhe t’i marrim vaksinat po ashtu nëpër lokalitet tona. Është shqetësuese të presim me orë të tëra për t’u regjistruar apo për ta marrë vaksinën”, ka thënë njëri nga të moshuarit. Koha ka provuar të marrë një deklaratë nga drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit, Merita Bytyqi, por ajo gjatë së enjtes nuk është përgjigjur në telefon.