Ministria ka linja të posaçme për t’u ardhur në ndihmë prindërve që hasin probleme gjatë aplikimit për subvencionimin e librave shkollorë, por edhe të martën, prindër të shumtë janë ankuar se askush nuk po lajmërohet. Prindërit thonë se për ditë me radhë po përpiqen të lidhen me ministrinë, por pa sukses
Thirrjet e prindërve nuk ka kush t’u përgjigjet në Ministrinë e Arsimit.
Ministria ka linja të posaçme për t’u ardhur në ndihmë prindërve që hasin probleme gjatë aplikimit për subvencionimin e librave shkollorë, por edhe të martën, prindër të shumtë janë ankuar se askush nuk po lajmërohet.
Prindërit thonë se për ditë me radhë po përpiqen të lidhen me ministrinë, por pa sukses.
Ata shprehen të zhgënjyer, pasi nuk po arrijnë t’i zgjidhin problemet që kanë hasur në platformën e aplikimit.
Ankesat i kanë shprehur në faqen zyrtare të Ministrisë në Facebook, të seksioni i komenteve.
“Veç edhe me i hap këta telefona edhe me kry punë do të ishte shumë mirë, ka 2 javë që po ju kontaktoj edhe nuk po jeni në gjendje me rregullu një problem të vogël që ju vetë e keni shkaktu, email-at as nuk po i hapni, çka me ju than juve”, ka komentuar një prind.
“ Numrat qe i keni vendos nuk janë funksionalë, ka kohë që po ju thërras e ju nuk e ngritni receptorin ose te numri celular numri është i zënë, po ashtu dy numra telefoni për tan Kosovën. Po më duket lojë fëmijësh kjo punë!”, ka shkruar një tjetër.
“Këta numra as që funksionojnë mjerisht”, thuhet në një tjetër koment.
Edhe Këshilli i Prindërve ka adresuar ankesa.
Nënkryetarja e tij, Linda Dula-Halilabazi, thotë se numrat janë vendosur vetëm sa “për sy e faqe”.
“Me keqardhje duhet të them që ata numra janë vetëm për sy e faqe, asnjëherë nuk kanë funksionuar. Numrat nuk kanë funksionuar kurrë, nuk e di si janë ata numra. Këta numra nuk e di të cilave zyra janë? Të cilëve zyrtarë janë? Është për keqardhje që prindi... Ministria del me një komunikatë, me një njoftim, i keni numrat, e keni këtë email kinse çdo gjë është shumë e rregullt, qartë dhe e qasshme por në të vërtetë ata nuk funksionojnë kurrë. Prindërit janë të dëshpëruar, ka prind që ende nuk kanë aplikuar për mjete shkollore.. është dëshpëruese”, ka thënë Halilabazi.
Lidhur me këtë situatë, KOHA ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit, por që nga e premtja nuk ka marrë përgjigje.
Më 15 gusht, Ministria hapi afatin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova.
Por edhe pse kanë kaluar dy ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, shumë prindër janë ankuar se mjetet financiare ende nuk u janë transferuar në llogari bankare.
Ministria ka premtuar subvencionimin e prindërve për secilin fëmijë të klasave nga 1 deri në 9 me 80 euro.
Ky është viti i tretë që aplikohet kjo formë. Parti opozitare, sindikata e prindër të shumtë kanë kërkuar kthimin e mënyrës së vjetër – asaj kur nxënësit i merrnin librat në shkollë.