Arbëri

Thirrje që të mos ketë kufizim kohor për aplikim, për statusin e viktimës së dhunës seksuale në luftë

Drejtoresha e organizatës boshnjake për të drejtat e grave “Medica Zenica”, Sabiha Husiq, ka kërkuar që në Kosovë të mos vendoset kufizim kohor për aplikim për statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Ajo ka thënë se është thelbësore që viktimat të mund të dëshmojnë kurdo që ndihen të gatshme dhe që autorët e krimeve të ndëshkohen, pavarësisht kohës së kaluar.

Qeveria në Kosovë duhet ta ndjekë shembullin e Bosnjë-Hercegovinës që të mos ketë kufizim kohor për aplikim për statusin e viktimës së dhunës seksuale së përjetuar gjatë luftës, ka thënë Sabiha Husiq, drejtoreshë e organizatës "Medica Zenica".

Husiq e cila udhëheq organizatën 30-vjeçare të grave në Bosnjë, theksoi se krijimi i një ambienti të mirë që viktimat e dhunës seksuale të dëshmojnë atë që iu ka ndodhur, është i domosdoshëm.

“Mendoj se është shumë me rëndësi që qeveria të mendojë për shembullin tonë të mirë në lidhje me afatin për aplikim për pensionet në Kosovë. Në Bosnje, nuk ka kufizim kohor për të aplikuar për statusin e viktimave civile të luftës. Kjo është thelbësore, sepse nuk mund të dimë kurrë kur një e mbijetuar do të ndiej se është gati të flasë dhe të aplikojë për status, ose në rastin tuaj për pension”, ka deklaruar Husiq.

Ajo thotë se bashkëpunimi dhe dëshmia e të mbijetuarve është shumë i rëndësishëm, duke shtuar nevojën për dënim të autorëve të krimit, pa marrë parasysh periudhës kohore.

“Kur flasim për dëshmitë, bashkëpunimi me të mbijetuarat është shumë i rëndësishëm. Secili autor i krimit duhet të ndëshkohet, pavarësisht se ngjarja ka ndodhur para dy apo tri dekadave. Është thelbësore të krijohet një atmosferë e mirë që të mbijetuarat të japin dëshmitë e tyre në bashkëpunim me të gjithë palët, OJQ-të dhe qeverinë ose sektorë të tjerë të qeverisë”, ka shtuar ajo.

Sipas raporteve të institucioneve të vendit gjatë luftës së fundit në Kosovë janë rreth 20 mijë persona të dhunuar seksualisht.

E prej vitit 2014 ekziston ligji për njohjen e statusit të këtyre viktimave, që deri më tani vetëm mbi 2 mijëve prej tyre u është njohur ky status.

Ndërsa, qeveria në detyrë e Kosovës më 14 prill ka vendosur që afati për të aplikuar për njohje të statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë të shtyhet deri në maj të 2027-s.