Arbëri

Thaçit e të tjerëve të akuzuar për pengim të drejtësisë u vazhdohet paraburgimi

Hashim Thaçi

Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt e Fadil Fazliut u është vazhduar paraburgimi në Hagë. Ata bashkë me Isni Kilajn e Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Në arsyetimin e vendimit nga Dhomat e Specializuara thuhet se ekziston rreziku që të akuzuarit mund ta pengojnë ecurinë e procesit nëse lihen në liri.

“Në vendimin mbi rishikimin e paraburgimit më 3 dhjetor 2025, Gjykatësi i Vetëm urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut. Gjykatësi Gosnell konstatoi se ekziston rreziku real që të akuzuarit, nëse do të liroheshin, mund të pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë vepra penale të tjera”, thuhet në njoftim.

Në rastin ku Thaçi akuzohet se udhëhoqi tri grupe të ndara për të ndikuar tek dëshmitarët e Prokurorisë në çështjen në të cilën së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Thaçit i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

Mbrojtja e Thaçit kishte argumentuar se i mbrojturi i saj nuk përbën një rrezik për arratisje dhe se mbyllja e afërt e fazës së provave në për krime lufte, si dhe transferimi i kësaj çështjeje në fazën e gjykimit, së bashku me natyrën e provave të Prokurorisë, justifikojnë një vlerësim të ri të rreziqeve të supozuara të pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera nga ana e tij.

Gjyqtari ka thënë se meqë Apeli ka konstatuar se në rast që një prej kushteve përmbushet për vazhdimin e paraburgimit, atëherë kushtet tjera mund të mos shqyrtohen. Rrjedhimisht, ka vendosur që të mos e shqyrtojë nëse Thaçi përben rrezik të arratisjes në rast se lirohet.

Por, në anën tjetër ka konstatuar se ai mund të ndikojë tek dëshmitarët, të pengojë procedurat dhe rrjedhimisht që të kryejë krime të tjera.

Sipas gjyqtarit, asnjë prej kushteve alternative nuk mund t’i zvogëlojnë rreziqet që dalin nga ky proces.