Arbëri

Terminalit privat doganor në Prizren i skadon licenca, mbyllet për operim

Dy ditë më parë Dogana e Kosovës ka mbyllur terminalin doganor në Prizren që është në pronësi private, për shkak se i ka skaduar licenca e operimit. Për këtë vendim kanë protestuar dhe kanë shprehur ankesa importuesit dhe përfaqësuesit e bizneseve

Me dhjetëra maune nga Prizreni kanë marrë rrugë drejt kryeqytetit për ta bërë zhdoganimin e mallrave që i bartin në terminalin doganor në Prishtinë, pasi që dy ditë më parë Dogana e Kosovës ka vendosur për mbylljen e terminalit në pronësi private në Prizren, për shkak të skadimit të licencës së tij më 4 korrik.

Agim Morina, transportues i pemëve dhe perimeve, është ankuar për vendimin.

“Kam ardhur në 8:15 këtu dhe tash derisa të na lëshojnë. Nëse do të kisha qenë në Prizren deri më tash kisha qenë në treg dhe ishin shitur gjërat me kohë, sepse duhet të jenë të freskëta”, ka thënë Morina.

Një ditë më parë importues dhe përfaqësues të bizneseve janë mbledhur para terminalit doganor në Prizren në shenjë proteste ndaj vendimit të Doganës.

Besim Bytyqi, përfaqësues i agjentëve doganorë, ka thënë se vendimi është marrë pa paralajmërim dhe pa u dhënë kohë për t’u përgatitur.

“Si qendër e dytë është e paimagjinueshme që të mbesë pa terminal doganor, pa mundësinë që mallrat të zhdoganohen në rajonin e Prizrenit dhe prej Prizrenit të drejtohen tek operatorët ekonomikë, gjë që ka shkaktuar drejtpërdrejt, në mënyrë automatike, rritje të kostos për importuesit e regjionit”, ka thënë Bytyqi.

E Besim Thaqi, i cili importon pemë dhe perime, ka kërkuar një alternativë tjetër si zgjidhje.

“Na ka dëmtuar. Na i ka shpëtuar 30 euro të terminalit e ne i kemi harxhuar 150 për të shkuar në Prishtinë, plus malli sa prishet”, ka thënë Thaqi.

Në Doganën e Kosovës kanë thënë se arsyeja e mbylljes së terminalit është skadimi i licencës së operatorit privat. Në këtë institucion kanë theksuar se si zgjidhje e përkohshme do të jetë aktivizimi i terminalit në Vërmicë, teksa në fundvit pritet që të funksionalizohet edhe terminali shtetëror.

“Dogana e Kosovës, konform marrëveshjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ka vendosur zhdoganimin në Portin e Durrësit për dërgesat kosovare të transportit detar. Dogana e Kosovës po ashtu ka avancuar lehtësira të shumta për produktet e Shqipërisë, duke ofruar procedurë zhdoganimi të thjeshtësuar në kufi për më shumë se 70 për qind të dërgesave të eksportuara nga Shqipëria. Rrjedhimisht shumica absolute e dërgesave që rrugëtojnë përmes Vërmicës nuk procesohen përmes terminalit në Prizren. Me qëllim të adresimit të këtij problemi, Dogana e Kosovës do të vendosë procesin e zhdoganimit në terminalin ekzistues në Vërmicë, përderisa përgatitjet për finalizimin e projektit të terminalit të ri shtetëror janë në vijim dhe pritet të përfundohen deri në fund të vitit”, kanë thënë në përgjigjet nga Dogana.

E Denis Krasniqi, menaxher i terminalit në Prizren, ka thënë se është aplikuar me kohë për licencim në Ministrinë e Infrastrukturës, porse ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

“Ka qenë komisioni i Ministrisë së Infrastrukturës në terminal dhe e ka bërë verifikimin. E kanë lëshuar një dokument që e vërteton se terminali i plotëson të gjitha kushtet, të gjitha kriteret, sa u përket kushteve për të operuar si terminal doganor. Do të thotë, i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Por, çështja ku ka mbetur ne nuk e dimë, nuk kemi marrë ende përgjigje nga Ministria”, ka thënë ai.

Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë ofruar përgjigje lidhur me çështjen.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila që prej më shumë se dy vjetësh e drejton Qeverinë, është zotuar që terminalet doganore do të jenë në pronësi të shtetit.