Arbëri

Tërheqjen e diplomatit, MPJ-ja e arsyeton me “një të pavërtetë të patolerueshme”

MPJD

Ministrja e Punëve të Jashtme nuk është zmbrapsur nga vendimi për tërheqjen e sekretarit të Parë nga Londra, pavarësisht shkeljeve që ka konstatuar Këshilli, për mënyrën si ishte tërhequr Viskont Jakupi.

Vendimi nga Donika Gërvalla ishte nxjerrë me urgjencë, duke i lënë kohë diplomatit vetëm 24 orë për t’i paketuar valixhet.

Pas ankesës në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë, ky institucion e ka kthyer lëndën në rishqyrtim. Mes tjerash, Këshilli ka argumentuar se mungon arsyetimi i MPJD-së, këshilla juridike dhe është kundërthënës dhe i paligjshëm. E, në vendimin e ri nëpërmjet të cilit konfirmohet vendimi i parë, Gërvalla ka dhënë një arsyetim.

Sipas saj, Jakupi që ka shërbyer sekretar i Parë në Londër ka bërë shkelje të Ligjit për shërbimin e jashtëm “pas deklarimit të një të pavërtete të patolerueshme” gjatë një komunikimi të brendshëm me zyrtarët e MPJ-së, kur po diskutohej çështja e shpenzimit të qirasë. Por nuk specifikohet cila ka qenë ajo e pavërtetë. KOHA ka kuptuar se e pavërtetë është konsideruar pasaktësia e diplomatit në përllogaritjen e kilometrave nga banesa në zyrat e Ambasadës.

Në lidhje me rastin, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka ofruar sqarime.

Edhe Jakupi ka refuzuar të flasë, duke thënë se betejën ligjore do ta vazhdojë nëpërmjet avokatit.

E, Avokati Mehdi Geci thotë se MPJ-ja ka bërë shkelje të shumta, teksa ka dhënë një interpretim edhe për “të pavërtetën e patolerueshme”, në të cilën aludon MPJD-ja.

“Duhet të ceket se cila është ajo deklaratë e patolerueshme, sipas informacioneve që mi ka dhënë klienti im thuhet se bëhet fjalë për disa kilometra që i ka specifikuar e ngarkuara me punë në Ambasadë atje. Kjo ka qenë ajo që nuk ka deklarata të pavërteta, të gjitha janë të shkruara dhe të qarta në komunikimet zyrtare- Viskont Jakupi, ministria e punëve të jashtme dhe diasporës. Të gjitha këto deklarata janë të shënuara edhe nga e ngarkuara me punë që ka qenë në ambasadën. Po flas gjithmonë mbi bazën e fakteve dhe provave që unë si avokat i disponoj”, tha avokati Geci.

KOHA ka siguruar komunikimet mes diplomatit Jakupi, zyrtarëve të Ambasadës në Londër dhe atyre në MPJD.

Në letrën që shefja e misionit në Londër, Arrita Gjakova, i dërgon ish- ushtrueses së detyrës së sekretares, Elmaze Pireva, ia rikujton se, “deri tash në Londër çdo diplomat e ka tejkaluar limitin për shumën e qirasë”.

Përveç zhgënjimit, ajo ua përmend edhe luksin ambasadave që veprojnë në shtetet e rajonit e që kanë kosto më të ulët jetese.

Pas refuzimit, Jakupi i shkruan letër ministres Gërvalla duka ia rikujtuar se tejkalime ka bërë edhe Elmaze Pireva sa ka qenë me mision në Londër, rast për të cilin pati raportuar KOHA.

Jakupi ka ushtruar sërish ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës me kërkesën që të shfuqizohet vendimi i ministres Gërvalla.

Image