Arbëri

Temperatura deri në 38 gradë sot në Kosovë, bëhet thirrje për kujdes

moti

Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 38 gradë Celsius. 

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat e larta janë pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga Afrika Veriore. 

“Këto masa ajrore, të cilat karakterizohen nga temperatura shumë të larta dhe përmbajtje të ulët të lagështisë, janë rezultat i qarkullimeve atmosferike që favorizojnë zhvendosjen e ajrit tropikal drejt veriut. Konkretisht, një presion i lartë atmosferik i vendosur në pjesën qendrore dhe jugore të Mesdheut ka krijuar kushte për rrjedhën e një mase ajrore subtropikale kontinentale nga shkretëtira e Saharasë drejt gadishullit Ballkanik”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Ky fenomen meteorologjik thuhet se shfaqet shpesh gjatë muajve të verës dhe zakonisht shoqërohet me rritje ekstreme të temperaturave, ulje të ndjeshme të reshjeve, si dhe rrezik të shtuar për thatësirë dhe zjarre në zona pyjore dhe fusha bujqësore. 

Temperaturat thuhet se mund të tejkalojnë lehtësisht vlerat mesatare sezonale, duke shkaktuar valë të nxehti që ndikojnë negativisht në shëndetin publik.

“Indeksi UV do ë jetë i lartë, prandaj këshillohet që nga ora 9-17 të kufizohemi nga rrezet direkte të diellit, moshat e shtyra, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike mbeten më të rrezikuara”, thuhet në njoftim.

Sipas IHMK-së minimalet e ditës do të sillen ne mes të 13 e 16 gradë Celsius.