Arbëri

Telashi i Muzeqinës, ujërat e zeza të 6 fshatrave përfundojnë aty

Për riparimin e rrjetit të kanalizimit në këtë fshat, banorët disa herë janë ankuar e i janë drejtuar me peticion Komunës, por pa rezultat deri tani. E gjendja, sipas tyre, po bëhet e padurueshme. Janë rreth 30 familje që janë në hall të madh tash e disa vjet

Shtime, 11 prill - Ujërat e zeza të 6 fshatrave përreth, tash e disa vjet, banorëve të Muzeqinës së Shtimes po u përfundojnë në oborre.

Për riparimin e rrjetit të kanalizimit në këtë fshat, banorët disa herë janë ankuar e i janë drejtuar me peticion Komunës, por pa rezultat deri tani.

E gjendja, sipas tyre, po bëhet e padurueshme.

Janë rreth 30 familje që janë në hall të madh tash e disa vjet.

“Po tash në këtë kohë, kur ishte nxehtë, nuk mundeshim as me hy nëpër oborr. Shumë-shumë erë e keqe, as s’po mund t’i punojmë tokat këtu, i kam 150 trupa me pemë, ato krejt nën ujë janë”, ka thënë Ajet Salihu, banor i fshatit Muzeqinë.

Banori tjetër i këtij fshati, Shaban Sejdiu, thotë se projekti i komunës është krejtësisht i dështuar.

“Është investim i gabuar i Komunës, pasi projekti është total i dështuar. Nuk shkon uji përpjetë, por duhet të shkojë uji teposhtë. Tash po grumbullohet uji këtu, sepse kemi qëlluar në vendin më të ulët, pusetat po e qesin dhe këtu po grumbullohet”, është shprehur Sejdiu.

Hamez Tershani, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Shtimes, ka thënë se Komuna disa herë ka intervenuar për hapjen e gypit kryesor të kanalizimit, por, sipas tij, shumë shpejt do të ketë një zgjidhje të përhershme.

“Po ju siguroj juve dhe banorëve siç u tregova edhe atyre, se do të gjejmë forma që ajo pjesë do të rregullohet. Jemi duke folur për një gjatësi prej 1.5 kilometra sipas personave që janë më kompetent dhe sidoqoftë problemi do të eliminohet në afat optimal”, ka deklaruar Tershani.

Komuna, me mbështetje të Qeverisë me 5.3 milionë euro, është duke e realizuar edhe projektin e kolektorit për trajtimin e ujërave të zeza, i cili përfshin të gjitha fshatrat e kësaj komune.