Arbëri

Kurti: Të akuzuarit për sulmin në “Ibër-Lepenc”, pjesë e strukturave shtetërore të Serbisë

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se pas ngritjes së aktakuzës ndaj tre personave për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, hetimi mbi këtë rast është “në rrugë të mbarë”,

Kurti ka thënë se të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë.

“Procesi gjyqësor do ta dëshmojë se të akuzuarit ishin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhur ngushtë me mikun e Vuçiqit, terroristin Millan Radoiçiq, dhe strukturat tjera shtetërore të Serbisë që planifikuan dhe urdhëruan sulmin terrorist”, ka shkruar ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, që është kryer një vit më parë. Aktakuza përfshin vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, që akuzohen për “Rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, dhe për terrorizëm. Ata dhe Igor Dimiqi akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Një nga të akuzuarit është pjesëtar i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake të Serbisë, VBA.

Raporti i ekspertimit gjeologjik i FBI-së i 3 nëntorit të këtij viti kishte dalë në përfundim se mostra e dheut të çizmeve të sekuestruara në shtëpinë e vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq më datën 30 nëntor të vitit 2024, nuk dallon me mostrat e dheut të marrë në vendin e ngjarjes në fshatin Varagë te kanali i Ibër-Lepencit ku ndodhi sulmi terrorist më 29 nëntor të vitit të kaluar.

Në aktakuzë Prokuroria thotë se përfundimisht provat e gjetura e të analizuara, e po ashtu edhe fotografitë e videoincizimet, dëshmojnë se i pandehuri Jovan Viqentijeviq, kolonel në Shërbimin Inteligjent të Ushtrisë Serbe, ka ndërmarrë veprime konkrete në sulmin terrorist. Ai është parë në videoincizime duke manovruar me lloje të ndryshme të armëve luftarake dhe të eksplozivëve ushtarakë.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se Jovan Viqentijeviq përcillte lëvizjet e ushtarëve të KFOR-it.

Sulmi në kanalin e Ibër Lepencit, shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë të pijes në shumë komuna, meqë nëpërmjet tij shpërndahet uji prej liqenit të Ujmanit deri te dy rajone: Ai i Mitrovicës dhe i Prishtinës.

Sulmi terrorist në Varagë të Poshtme të Zubin Potokut është i dyti i përmasave të mëdha, pas atij në Banjskë më 24 shtator 2023.