Që nga fillimi i pandemisë, së paku pesë Qendra të Mjekësisë Familjare në fshatra të Kaçanikut janë mbyllur si pasojë e mungesës së stafit mjekësor, pasi që komuna i kishte kushtuar rëndësi më të madhe QKMF-së në qytet. Ndërkohë, disa nga këto objekte nëpër fshatra tashmë kanë nisur të demolohen, pasi që ato nuk po mirëmbahen nga askush.
Njëra ndër to është edhe ambulanca e Mjekësisë Familjare në fshatin Shtrazë.
Banorët e këtij fshati kanë kërkuar nga komuna që ta rihapë QMF-në e fshatit, derisa po udhëtojnë rreth 30 kilometra deri në Kaçanik për një shërbim mjekësor.
“Shqetësimet tona në fshatin tonë janë sepse ne kemi nevojë për mjek, siç po shihet ambulanta është e demoluar, është vjedhur. Deshta të bëj kërkesë si banor i fshatit dhe i gjithë fshati që së paku ta kemi një motër medicinale që të përkujdeset për nevojat tona”, tha Egzon Lika, banor i fshatit Shtrazë.
Po ashtu me mungesë të mjekut po përballen edhe banorët e fshatrave Ivajë, Dubravë dhe banorët e disa lokaliteteve të tjera.
Fadil Vishi, administrator i fshatit Dubravë, ka thënë se disa herë ka bërë kërkesë zyrtare në komunë, me qëllim që së paku dy herë gjatë javës të hapet ambulanta, por deri tash nuk janë shqyrtuar ato.
“Ambulanta e fshatit tonë është mbyllur përafërsisht që dy vjet, ka munguar stafi mjekësor profesional, kurse motrat kanë ardhur kohë pas kohe, kurse kohëve të fundit nuk ka pasur as motra për arsyeje se ato i kanë kompetencat e cunguara sepse pa prezencën e mjekut nuk mund t’i kryejnë shumë shërbime”, tha Vishi.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi ka shpjeguar se gjatë pandemisë janë përballur me mungesë të stafit mjekësor, por zotohet se në fillim të vitit të ardhshëm do të rihapen të gjitha Qendrat e Mjkekësisë Familjare nëpër lokalitete me orar të caktuar.
“Nga konkurset që i kemi hapur po shpresojmë që shumë shpejtë do të plotësohen me kuadro të reja të mjekëve profesional dhe shumë shpejt në koordinim me drejtorin e QKMF-së do të bëjmë një riorganizim të ri e që faktikisht ka munguar këto dy vite”, tha Ilazi.
Sipas Ilazit, pas riorganizimit në disa AMF mjeku do të punojë një apo dy ditë gjatë javës, ndërkaq në disa QMF do të punojë me orar të plotë pesë ditë.