Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Takimi për të zhdukurit, Kosova do ta kërkojë zbatimin e shkresës për arkivat

Të mërkurën do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, kanë konfirmuar nga Komisioni Qeveritar i Kosovës për këtë çështje. Kryetari i këtij komisioni, Andin Hoti, tha se kërkesat e Kosovës kryesisht lidhen me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat

Dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë do të kthehet këtë javë me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. 

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak në një postim në Facebook, të hënën, veç takimit të paralajmëruar, tha se ditët e para të këtij viti i priti me mision në Shtetet e Bashkuara, ku është njoftuar me zyrtarë të lartë të shtetit, me të cilët tha se ka diskutuar për nevojën për avancim në dialog. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington, D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit... Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë te Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët”, ka shkruar Lajçak. 

Kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, konfirmoi se takimi do të mbahet më 15 janar në nivel të zëvendësuesve. Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues delegacionit të Kosovës.

“Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiq, dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese 'Deklaratës për Persona të Zhdukur' e miratuar më 2 maj 2023”, tha Hoti.

Komisioni i Përbashkët do të kryesohet nga Bashkimi Evropian si dhe do të mbikëqyret nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Sipas këtij Komiteti, janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta e viteve 1998/99 në Kosovë, shumica prej tyre shqiptarë.