Arbëri

Tahiri: Tre vjet pa njohje e pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare, rroftë Gani Jakupi

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar diplomacinë kosovarë për mosangazhim përgjatë tre vjetëve të fundit, duke thënë se ka kaluar po kaq kohë pa njohje e pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në konferencën e mbajtur të dielën, derisa ka dhënë kritikat e tij për Ministrinë e Punëve të Jashtme, ai ka përmendur Gani Jakupin, i angazhuar si konsulent i jashtëm për ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, emri i të cilit së fundmi bëri bujë për shkak të pagës së tij mujore prej 7500 eurosh.

“Tri vjet asnjë njohje, tri vjet asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Rroftë Gani Jakupi! Sot kjo politikë e jashtme e ka kthyer vendin në vend të sanksionuar nga BE-ja”, ka thënë ai.

Duke cituar raportin e fundit të publikuar nga Instituti GAP lidhur me projektbuxhetin për këtë vit, Tahiri ka thënë se ndarja e buxhetit për komunat në bazë të partive është diskriminuese.

"Është tepër diskriminuese dhe tepër e papërgjegjshme që qeveria qendrore i shkel kriteret e shpërndarjes së investimeve kapitale nëpër komuna e me vendosë kriter partinë", është shprehur ai.

Ai e ka vlerësuar si problem të nivelit kombëtar rritjen e kostos së jetesës, duke thënë se është problemi më i madh dhe kryesor i secilit qytetar të Kosovës.

“Të punësuarit e sektorit publik apo atij privat me pagat e tanishme janë kthyer në kategori të shoqërisë me probleme të mbijetesës sociale. Vështirë ta kalojnë muajin me pagat në raport me këto kosto 80% e njerëzve që kanë pagë mbi 600 euro kanë obligime bankare. Inflacioni, rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja e secilit artikull ushqimor po e cenon standardin e jetës ekonomike familjare. Nuk ka asnjë lehtësim. Paratë e dedikuara për subvencione janë para elektorale. Shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale mbetet më e ulëta në histori me 60 për qind që ka qenë në vitin 2022, e paramendoni 35 për qind deri në shtator të vitit 2023. Qeveria 100 për qind nuk ka arritur ta shfrytëzojë buxhetin për investimet kapitale”, ka thënë ai.

Tahiri në këtë adresim ka përmendur edhe rezultatet e Kosovës në testin ndërkombëtar PISA, duke thënë se është dëshmuar degradimi i arsimit në këtë Qeveri.

“Nuk ka ndodhur asnjë planifikim mes nivelit qendror e lokal për lëvizjet demografike, 99% teori, 1% praktikë. Aleanca rekomandon që menjëherë të fillojë ndërtimi i infrastrukturës shkollore miqësore me nxënësit. Të mos ja lënë fajin pandemisë se të gjithë sektorët janë prekur”, ka theksuar ai.