Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: Rritja e çmimit të energjisë do ta bankrotonte shtetin

Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se ekonomia e Kosovës është para fundosjes.

Duke folur për paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë, ka thënë se Qeverisë nuk duhet të guxojë ta bëjë këtë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas tij, një rritje e tillë do ta bankrotonte shtetin.

“E ftojmë Qeverinë e Kosovës të mos guxojë ta rris çmimin e energjisë elektrike. I themi ZRRE-së që ju jeni të emëruar prej Qeverisë, prej kësaj shumice: nuk mund ta rrisni për 21% tarifën e energjisë elektrike për shkak se kjo e bankroton shtetin. A krijoni prodhim më të madh, a subvencionin, a blini – ky është problemi juaj. Ju nuk guxoni ta rrisni çmimin e energjisë elektrike për shkak se kjo do ta fundos ekonominë e Kosovës, do ta fundos prodhimin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se sektori i energjisë është duke e rrezikuar ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Sipas tij, mungesa e qëndrueshmërisë dhe gabimet e njëpasnjëshme të Qeverisë janë duke e godit në esencë ekzistencën e secilës familje dhe  ndërmarrjeje.

Tahiri ka kërkuar që të ulet edhe akciza e naftës dhe të stabilizohet tregu. Për këtë, ka thënë se Qeveria duhet ta sjell amandamentin dhe si grup paralamentar do ta mbështesin.

“Për AAK-në është kërkesë urgjente për qeverinë, urgjentisht qysh ka ditë t’i bëjë tenderët njëburimor - 2000 prej tyre, urgjent ta sjellë amendamentin në mënyrë që të ndryshohet ligji, neni që e përcakton uljen e akcizës dhe mos të bëjnë lajka. Nuk mund të niset kjo në parlament për shkak se nëse niset merr kohë. Është qeveria që duhet ta sjell amendamentin dhe këtu zotohemi që ne menjëherë e mbështesim si grup parlamentar në mënyrë që të vendoset saktësisht ulja e akcizës për një kohë të caktuar dhe të njëjtën kohë ulja e TVSH-së në mënyrë që të bie çmimi i naftës deri sa të stabilizohet tregu”, ka thënë ai.

Tahiri ka thënë se rritja e çmimeve të konsumit është goditje tepër e madhe për qytetarët dhe tregun.

Sipas tij, çmimet e kostos së jetës janë bërë të papërballueshme për secilin qytetarë.

Duke folur për situatën politike në vend, Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk dëshiron ta ndajë pushtetin me askënd.

Ka thënë, se po të donte Kurti nuk do të kishte bllokadë institucionale, porse sipas tij, ai po synon të instalojë autokraci.

“Bllokada institucionale në Kosovë ka emër, ajo është te partia e cila i ka 66 deputetë, e cila i ka 19 ministri dhe e cila synoi para një muaji po ashtu ta marrë edhe pozitën e presidentit. Aty është bllokada, aty është tendenca për ta krijuar, instaluar një autokraci dhe aty është edhe zgjidhja, zgjidhje nuk ka dashur ky formacion politik. Po të kishin dashur zgjidhje, po të donin president unifikues, po të donin që t’i mos i maltretojnë edhe njëherë 1 milionë qytetarë të Kosovës të dalin në zgjedhje ata vetëm do e ndanin pushtetin. Pushtetin e ka ndarë Ibrahim Rugova në vitin 2001 me PDK-në dhe AAK-në duke i fituar gati 50% në zgjedhje, pushtetin e ka ndarë poashtu në 2004-ën Ibrahim Rugova, pushtetin e ka ndarë kur nuk ka fituar edhe Hashim Thaçi, pushtetin e ka ndarë edhe Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe të gjithë e kanë ndarë. Ky zotëria s’po do ta ndajë sepse po do ta marrë edhe institucionin e presidentit, kjo nuk shkon në demokraci”.

 Tahiri tutje ka kritikuar institucionet e Kosovës për shmangie të përgjegjësisë lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila ishte vendosur në sheshet e Prishtinës.

Ai tha se institucionet e Kosovës kanë dështuar në menaxhimin e situatës dhe në trajtimin e çështjeve që lidhen me përmbajtjen e ekspozitës, duke shtuar se mungesa e përgjegjësisë po vazhdon në nivele të ndryshme institucionale.

“Është totalisht e pakuptimtë se si i përvidhet, se si shteti dështon, dështon Qeveria e Kosovës, dështon Kuvendi i Kosovës, dështon ministrja përkatëse dhe mbështetet një ekspozitë e cila në esencë ka pasaktësi që ndërlidhen me të drejtën historike të Kosovës, pasaktësi të të dhënave të cilat i demantojnë burimin. Pra, burimi i informacionit thotë: ‘Këto nuk janë të dhënat e mia’, domethënë largojeni këtë ekspozitë. Dhe në anën tjetër, secili në institucion, në këtë pushtet, mundohet me ike prej përgjegjësisë. Mundohet me ikë prej përgjegjësie Lëvizja Vetëvendosje duke thënë që ‘na e kemi përjashtuar autorin nga Lëvizja Vetëvendosje, nga zyra e kryeministrit’. Mundohet me ike nga përgjegjësia Qeveria, Ministria e linjës thotë: ‘Jo, na nuk dimë për këtë punë asgjë. Dhe në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës i cili e ka financuar, po ashtu mundohet me ikë nga përgjegjësia.” - u shpreh Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe grupi i saj parlamentar kanë adresuar një letër drejtuar kryetares së Kuvendit, duke kërkuar që çështja të trajtohet me seriozitet dhe të sigurohet transparencë lidhur me procesin dhe burimin e informacionit të përdorur në ekspozitë.

Sipas tij, rasti ka prekur fillimisht viktimat e burgut të Dubravës, më pas historinë dhe në fund edhe institucionet e vendit, duke theksuar nevojën për sqarim dhe përgjegjësi institucionale.