Arbëri

Tahiri: Ndoshta zgjedhjet do të ishin zgjidhje

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e Listës Serbe do të krijohet vakum kushtetues.

Sipas tij, në këtë situatë zgjedhjet e përgjithshme do të mund të ishin zgjidhja.

“Dorëzimi i mandateve nga Lista Serbe është shumë problem, pasi KQZ-ja duhet të trajtojë persona të tjerë që janë në lista e ata nuk do të pranojnë të marrin mandate, do të vijmë në një situatë kur Kuvendi nuk do të ketë 120 deputetë, do të kemi vakum kushtetues ... Ajo që po shohim është se çështja është ndërlikuar shumë dhe ndoshta zgjedhjet do të ishin zgjidhje”, ka theksuar Tahini, në deklarimin pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka thënë se situata në veri duhet të trajtohet më seriozisht.

“Në Kryesi të Kuvendit e kam ngritur çështjen e Zhvillimeve në veri të Kosovës, e kam ngritur pasi që është e nevojshme që si grupe parlamentare, si Kryesi, ta trajtojë këtë çështje seriozisht. Tema është shumë më serioze sesa që po trajtohet, po mini9mizohet, po del çështje teknike, targat si një vendim teknik po na kthehet në problem të sigurisë”, është shprehur Tahiri.

Për çështjen e Asociacionit të komunave më shumicë serbe, ai ka thënë se “Qeveria nuk ka nevojë të lëshojë pe e as të marrë pozicion”.