Arbëri

Tahiri: Kurti po shqetësohet për veprimet e Rusisë, e Kosovën e ka vendosur vetë në anën e saj

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili është shprehur i shqetësuar nga lajmi për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia.

Tahiri ka thënë se Kurti sot ka filluar të shqetësohet për veprimet e Rusisë, ndërsa Kosova vazhdon të jetë nën sanksione. Ai ka thënë në të gjithë kontinentin evropian sot vetëm tri shtete janë nën sanksione nga BE-ja dhe SHBA-ja: Rusia, Bjellorusia dhe Kosova.

“Megjithatë, kryeministri i izoluar Kurti sot ka filluar të shqetësohet për veprimet e Rusisë, ndërsa Kosovën e ka vendosur vetë në anën e saj. Albin Kurti, që prej dy vitesh e ka mbajtur Kosovën nën sanksione, sot flet për shkeljet e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Gjatë ditës, kryeministri në detyrë e ka cilësuar shumë shqetësues hyrjen e aeroplanëve rusë në hapësirën ajrore të Estonisë një ditë më parë. “Kosova solidarizohet me Estoninë gjatë kësaj kohe”, ka shkruar ai në X.