Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri kërkon bashkim opozitar, Abdixhiku fton për projekt politik pa opozitën

AAK-LDK

Foto: Driton Paçarada

Ideja për një bashkim në opozitë është përmendur të enjten nga përfaqësues të partive opozitare, porse me qasje të ndryshme. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur për nevojën e një bashkimi të opozitës, përderisa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për një projekt politik që, sipas tij, synon bashkimin e institucionalistëve dhe mbështetësve të rrugës euroatlantike, nën ombrellën e Lidhjes Demokratike

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kërkuar bashkimin e opozitës, duke e quajtur veprimin shumë të nevojshëm për Kosovën.

Tahiri, në një konferencë shtypi të mbajtur të enjten, ka theksuar se partitë opozitare nuk duhet t’i frikësohen bashkimit me njëra-tjetrën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ajo çfarë do të thosha për një bashkim të opozitës është që bukur shumë është vonuar opozita për të qenë e bashkuar në platformat e veta politike. Unë mendoj që çfarëdo bashkimi që duhet të ndodhë karshi këtij pushteti duhet të mos ketë vetëm profil politik e djathtë, e majtë, por duhet të ketë vizion shtetëror se si t’i dalim një situate, një katrahure që ka kapluar këtë shtet”, ka thënë ai.

Por thirrjen e Tahirit për bashkim të taborit opozitar, kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka kufizuar vetëm përbrenda një projekti politik që do të udhëhiqej nga subjekti i tij politik.

Ai ka paralajmëruar bashkim të institucionalistëve, të mbështetësve të Republikës dhe të të gjithë atyre që “janë në rrugën euroatlantike dhe e kanë LDK-në shtëpi politike”.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Abdixhiku ka bërë thirrje për bashkim politik e qytetar rreth një projekti, për të cilin ka thënë se për qëllim e ka tejkalimin e dallimeve dhe të hidhërimeve të së kaluarës si dhe normalizimin e jetës politike drejt zhvillimit e Perëndimit. Por ai ka shtuar se kjo thirrje nuk vlen për dy partitë e tjera opozitare – Partinë Demokratike (PDK) dhe e AAK-në.

“Dramat e sotme, krizat e përvitshme dhe fajësimet e pandalshme po e shterojnë Kosovën. Vendit i duhet një tjetër rrëfim. Një rrëfim që bashkon, që normalizon jetën politike, që zhvillon shtetin dhe e ankoron përgjithmonë në Perëndim”, ka shkruar Abdixhiku.

Në PDK nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse kjo parti e mbështet bashkimin e partive të opozitës.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë në opozitë që nga viti 2021, porse që atëherë nuk kanë shpërfaqur front të konsoliduar opozitar në raport me qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të shkuar, PDK-ja ka dalë forcë e dytë politike në Kosovë, duke i marrë 20.2 për qind të votave, të cilat ia kanë siguruar asaj 22 deputetë në Kuvend. LDK-ja është forca e tretë, me 13.2 për qind të votave të siguruara dhe 15 deputetë, ndërsa AAK-ja ka marrë 5.5 për qind të votave, të cilat ia kanë garantuar 6 ulëse në Kuvendin prej 120 deputetësh.