Integrimi i Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian është i kushtëzuar me arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme mes dy vendeve.
Kështu ka thënë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë një video-konference me gazetarë, pjesë e së cilës ishte edhe KOHA, një ditë pas publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën.
“Padyshim se vazhdimi i përkushtimit në dialog dhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura, është një kusht. Natyrisht është e rëndësishme që të vazhdohet me zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, nga të dyja palët”, ka thënë ai.
Sa i përket marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shefi i BE-së ka shtuar se ky është obligim, i cili derivon nga dialogu i mëhershëm.
Tani, sipas tij, i takon ekipit negociator që t’i propozojë modalitetet si të zbatohet kjo pikë e marrëveshjes.
“Është përkushtim i marrë në vitin 2013 dhe vitin 2015. Madje, në vitin 2013 ishte ratifikuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit. Pra, nga perspektiva ime, kjo është edhe çështje e brendshme dhe obligim kushtetues për Kosovën që të procedojë me këtë përkushtim. Pjesë e këtij përkushtimi është edhe roli i Gjykatës Kushtetuese, e cila tashmë ka thënë fjalën e vet pas marrëveshjes dhe natyrisht ky zbatim duhet të jetë në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, u ka thënë ai gazetarëve.
Në lidhje me gjetjet e Raportit të Progresit ku evidentohen ngecje në shumë fusha, diplomati evropian ka thënë se nuk mjafton vetëm të thuhet se qëllim strategjik është anëtarësimi në BE, por kërkohen gjithashtu veprime konkrete dhe lidership i fuqishëm politik për agjendën evropiane të integrimit.