Arbëri

Sveçla mungon në seancën për gazin lotsjellës, Gjykata veçon procedurën ndaj tij

Xhelal Svecla

Foto: Driton Paçarada

Gjykata ka marrë vendim që ta ndajë procedurën penale ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nga ajo e të pandehurve të tjerë në rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018. 

Ndërkohë, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar ndaj ish-deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Drita Millaku. Vendimi u mor pasi Sveçla nuk u paraqit as në seancën e sotme. 

Gjyqtari i rastit, Sabit Sadikaj, bëri të ditur se i pandehuri e ka njoftuar gjykatën për mungesën e tij përmes emailit, duke sqaruar se ndodhet jashtë vendit. Sipas Sadikajt, janë përmbushur kushtet ligjore që shqyrtimi gjyqësor të vazhdojë vetëm me të pandehurit e pranishëm.

Ndërkohë, avokati i Sveçlës, Laur Preni, i kërkoi gjykatës mirëkuptim, duke theksuar se klienti i tij ushtron një funksion me përgjegjësi të lartë shtetërore. 

“Kërkoj nga gjykata që të ketë konsideratë dhe mirëkuptim për faktin se i mbrojturi im mban një detyrë me përgjegjësi të lartë si ministër në detyrë i Punëve të Brendshme dhe jo çdo herë mund të jetë prezent apo i gatshëm që t’u përgjigjet ftesave nga gjykata”, tha ai.

I pandehuri Salih Zyba kërkoi që të ndërrohet prokurori i rastit, Valdrin Krasniqi, pasi hodhi dyshime se prokurori ka lidhje familjare me ish-sekretarin e Kuvendit. 

“Apeloj te gjyqtari që të verifikohet në kohë reale që prokurori prezent të na heq dyshimet se i njëjti qenka i ndikuar nga prindi që ka mbajtur detyrën zyrtare në kohën sa është zhvilluar ajo seancë, zyrtari Ismet Krasniqi, është i biri natyral i Ismet Krasniqit, e konsideroj që është konflikt interesi dhe jo profesionalizëm. Së pari të verifikohet se i njëjti a është djali i sekretarit të atëhershëm", ka thënë ai. 
 

 

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi

Gjykimi për gazin lotsjellës, Pacolli e Zyba konfirmojnë pjesëmarrjen, Sveçla s’përgjigjet

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe Salih Zyba e kanë konfirmuar se do të paraqiten...