Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për rastin e kryetarit të partisë “Demokracia serbe”, Aleksandar Arsenijeviq, te një pronë e të cilit ditë më parë u gjet një sasi e armatimit gjatë bastisjes në Zveçan, raporton "Ekonomia Online".
Sveçla tha se Arsenijeviq është i dyshuar dhe duhet dorëzuar sa më parë.
“Është pjesë e hetimeve gjithëpërfshirëse. Është e qartë se janë grupe të ndryshme të cilat janë marrë herë me krim e herë me terrorizëm. Ky ka tentuar të krijojë një imazh të një opozitari. Realisht faktet tregojnë që është i përfshirë në aktivitete kriminale terroriste dhe duhet sa më parë të përgjigjet para ligjit, duke u dorëzuar. Nuk e kam fjalën vetëm për këtë, por edhe më gjerë. Ai është i dyshuar. Në pronën e tij janë gjetur armë që i takojnë një njësiti terrorist”, tha Sveçla.
Politikani serb, Arsenijeviq, e ka pranuar që objekti ku u kap armatim në veri është nën pronësi të tij, por tha se nuk është vendbanim i përhershëm, pasi është stallë ku mban kafshët “dhe objekti është gjithmonë i hapur e i qasshëm për këdo”.
Ai të hënën ka thënë për KOHËN se gjendet jashtë Kosovës aktualisht dhe s’e ka ditur që do të ndërmerret aksion policor, derisa ka thënë se “sikur të kishte vënë re diçka të dyshimtë, do të isha i pari që do t’i njoftoja organet kompetente”.
“Stalla ku u gjetën armët nuk është vendbanimi im i përhershëm. Aty thjesht mbaj kalin për kullotë dhe objekti është gjithmonë i hapur dhe i qasshëm për këdo. Në rrethana të tilla, cilido ka mundur t’i lërë aty ato sende të dyshimta. Veçanërisht bie në sy fakti që ndër to është gjetur edhe një flamur rus, i cili kurrë nuk ka mundur të jetë pjesë e pronës sime, pikërisht për shkak të qëndrimeve të mia të njohura politike”, ka thënë Arsenijeviq.
Ai tha se është i gatshëm të marrë pjesë në secilin proces gjyqësor “që është i ligjshëm dhe i drejtë dhe të vërtetoj pafajësinë time”.
“...Megjithatë, deklarata e ministrit Sveçla më vë në një pozitë ‘shah-mat’ – nëse nuk paraqitem, do të konsiderohem fajtor; nëse vij, rrezikoj të arrestohem menjëherë. Jam mirënjohës që, përkundër gjithçkaje, nuk m’u është montuar edhe ndonjë drogë – sepse kjo do të ishte poshtërim edhe më i madh. Aktualisht gjendem te familja në Sombor, por jam i gatshëm të kthehem në shtëpi që në momentin kur të më sigurohet një gjykim i drejtë – edhe nëse për këtë duhet që një zyrtar policor të qëndrojë me mua 24 orë në ditë”, ka shtuar ai.
Policia e Kosovës të dielën gjatë një aksioni në fshatin Vallaq në Zveçan kishte sekuestruar armë, municion, granata dore dhe zolla, në pronën e Arsenijeviqit.
Ministri në detyrë Sveçla në postim në “Facebook” të dielën tha se u kap “arsenal i mjaftueshëm për një njësit terrorist” dhe se objekti ku u gjet armatimi i takon Arsenijeviqit.