Arbëri

Surroi: VV-ja qeverisi me duar të pastra, Kurti ka mundësi të madhe të jetë sërish kryeministër

Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi vlerëson se qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje ka shënuar një ndryshim të rëndësishëm në raportin e qytetarëve me institucionet, duke rritur besimin në qeverisje përmes një qeverisjeje me “duar të pastra”. Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, publicisti u shpreh se projeksionet e mbajnë VV-në në vendin e parë.

Në podcastin PIKË, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarin dhe autorin britanik Tim Judah, Surroi ka thënë se një nga rezultatet kryesore të Qeverisë Kurti 2 ka qenë largimi i perceptimit se korrupsioni është pjesë normale e ushtrimit të pushtetit.

Sipas Surroit, momenti kur Vetëvendosje mori 51 për qind të votave përfaqësonte një kthesë revolucionare në politikën kosovare, duke çrregulluar rendin e vjetër politik. Ai theksoi se kjo qeverisje krijoi një klimë të re besimi në institucione, pikërisht për shkak të bindjes se pushteti po ushtrohej “me duar të pastra”.

Surroi shtoi se kjo qasje ka ndikuar pozitivisht edhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht në treguesit e sundimit të ligjit, qeverisjes dhe të drejtave të njeriut. 

“Ka shumë më pak korrupsion në shoqëri sesa ka ekzistuar më parë”, u shpreh ai, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme politike.

Duke folur për zhvillimet e brendshme, Surroi vuri në dukje se pas fazës revolucionare, Kosova ndodhet tashmë në një fazë evolucionare, ku kërkohet stabilizim politik dhe ndërtim i koalicioneve. Ai theksoi se mungesa e besimit mes partive ishte arsyeja kryesore e dështimit për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, Surroi ka thënë se projeksionet e mbajnë Vetëvendosjen në vendin e parë dhe sheh mundësi të madhe që Albin Kurti të jetë sërish kryeministër. 

“Projeksionet që i kam parë e mbajnë atë (VV-në) në vendin e parë, me një diferencë më të gjerë ose me një diferencë të gjerë siç kishte më parë. Gjëja e rëndësishme është se Kosova duhet të ketë një qeveri deri në fund të shkurtit. Përndryshe, nuk ka një buxhet për të punuar.  Pra, kjo është një nxitje e fortë për të gjitha partitë për të gjetur një zgjidhje të shpejtë për qeverinë. Sigurisht, rezultatet 0do të diktojnë shumë nga zgjedhjet racionale të partive. Mendoj se ka mundësi të mëdha që ai (Kurti të jetë kryeministër. Dhe mendoj se ka mundësi të mëdha që partitë të arrijnë një marrëveshje rreth presidentit të ardhshëm”, ka deklaruar Surroi. 
 

Lexo përditësimet tjera
Tim Judah

Tim Judah në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 36-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari dhe...