Publicisti Veton Surroi ka reaguar pasi që presidentja Vjosa Osmani të premten ka nxjerrë dekret për shpërndarje të Kuvendi dhe ka ftuar partitë politike në takim për të caktuar datën e zgjedhjeve.
Sipas Surroit Kosova mund të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka thënë se nëse kjo mundësi është e madhe, e vogël apo fare e papërfillshme, kjo është çështje që mund ta përcaktojë vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës. “Asaj i takon të vendosë nëse Kuvendi i Kosovës është ende në proces kushtetues të zgjedhjes së Presidentit apo nëse afati për këtë proces tashmë ka përfunduar”, ka shkruar Surroi.
Ai ka thënë se përderisa ekziston kjo paqartësi juridike dhe përderisa gjykimin përfundimtar e ka vetëm Gjykata Kushtetuese vendi nuk ka nevojë për vendime impulsive.
“Më 5 mars në mbrëmje Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë urgjente për të diskutuar ndryshime kushtetuese, pas procedimit të papritur dhe urgjent që Presidentja e vendit ia bëri Kryetares së Kuvendit. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë më shumë kohezion shoqëror dhe konsensus politik se çdo vendim tjetër që merr Kuvendi, përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit. Trajtimi me urgjencë i amendamenteve kushtetuese, të dakorduara para njëmbëdhjetë vjetësh, tregoi mungesë serioziteti për një çështje të një rëndësie të veçantë”, ka shkruar ai.
Ai e ka vlerësuar të nxituar dekretin e Osmanit për shpërndarje të Kuvendit.
“Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit në mëngjesin e 6 marsit mbetet një veprim i nxituar përderisa ekziston një çështje pranë Gjykatës Kushtetuese që mund të përcaktojë nëse procesi për zgjedhjen e Presidentit është ende brenda afatit kushtetues. Në situata të tilla, prudenca institucionale do të kërkonte që të pritej sqarimi juridik”, ka shkruar Surroi.
Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk kishte as obligim dhe as mundësi reale të mblidhej gjatë natës për të dhënë një qëndrim paraprak mbi kërkesën e parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, qoftë për pranueshmërinë e saj apo për mundësinë e vendosjes së një mase të përkohshme. “Megjithatë, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit mund të kishte pritur së paku përfundimin e orarit të punës së Gjykatës. Në këtë mënyrë, vendimi mori pamjen e një akti të nxituar”, ka shkruar Surroi.
Ai ka vlerësuar se kurdo që të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë lëndë apo për ndonjë çështje tjetër që mund të shtrohet rreth kësaj materieje, vendi do të ketë qartësinë juridike të nevojshme.
“Nëse Gjykata konstaton se ende ekziston hapësirë kushtetuese për të mos shkuar në zgjedhje, atëherë përgjegjësia bie mbi partitë politike që të krijojnë kohezionin dhe konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit që do të përcaktojë Gjykata. Në të kundërtën, duhet të fillojnë përgatitjet për zgjedhje të parakohshme”, ka shkruar ai, duke shtuar se cilido që të jetë përfundimi juridik i kësaj çështjeje, Presidentja e vendit dhe partitë politike do të ndihmonin situatën duke shmangur një fjalor që thellon më tej polarizimet politike dhe shoqërore.