Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës janë bërë disa gabime strategjike nga diplomati Martti Ahtisaari dhe bashkësia ndërkombëtare.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me gazetarin dhe aktivistin Blerim Shala, Surroi theksoi se gabimi i parë lidhet me pritjen e Ahtisaarit se Rusia do të pajtohej në fund me zgjidhjen për Kosovën. Sipas tij, një tjetër llogaritje e gabuar e diplomatit finlandez ishte besimi se Bashkimi Evropian do të kishte unitet të plotë rreth çështjes së Kosovës. E gabimi i tretë, siç thotë Surroi, ishte që ndërkombëtarët priten që Serbia do ta pranonte realitetin e ri.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Më duket dy gabime substanciale strategjike kanë qenë gabimi i parë i Ahtisaarit, i cili ka menduar se rusët në fund do të pajtohen; gabimi gjysmë i dytë i Ahtisaarit është që ka menduar që Bashkimi Evropian do të jetë unik rreth Kosovës. Dhe gabimi i tretë atëherë po del, që bashkësia ndërkombëtare ka menduar se Serbia do të paloset disi”, u shpreh Surroi.
Nga ana e tij, Shala u pajtua me këtë vlerësim, duke shtuar se në atë kohë kishte një bindje të fortë se procesi kishte përfunduar me sukses, sidomos pas njohjeve të shpejta nga shtetet kryesore perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, sipas tij, mungesa e unitetit brenda BE-së dhe kundërshtimi i Rusisë kanë krijuar pengesa të vazhdueshme, veçanërisht në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Shala theksoi se këto probleme janë reflektuar edhe në dialogun me Serbinë, i cili ka nisur në vitet 2011-2012 dhe vazhdon ende. Ai shtoi se po të kishte pasur një qëndrim unik të Bashkimit Evropian, proceset pas pavarësisë do të kishin ecur shumë më lehtë.