Punonjës të Departamentit të Teknologjisë Informative dhe Administratorë të Sistemeve në Universitetin e Prishtinës prej javësh ndodhen në grevë, me kërkesën për ngritje pagash. Studentë e edhe dekanë fakultetesh thanë se kjo ka shkaktuar vështirësi, meqë është vështirësuar qasja në një numër shërbimesh
Studentët e Universitetit të Prishtinës (UP) kanë mbetur pa marrë shumë shërbime, meqë punonjës të Departamentit të Teknologjisë Informative dhe Administratorëve të Sistemeve prej javësh kanë hyrë në grevë, me kërkesën për rritje pagash.
Ata janë informuar me email se përgjigjet do të vonohen dhe komunikimi do të ndodhë, pasi të përfundojë greva.
Ismet Krasniqi, i cili është pjesë e Parlamentit Studentor, tha se greva mund t’u shkaktojë problem të madh studentëve që janë në prag të diplomimit.
“Nëse ka studentë të cilët në muajt në vijim do të diplomojnë ose edhe këtë muaj, atëherë mund të hasin në pengesa te sistemi kur e paraqesin provimin, por shpresoj që zyrtarët e IT-së do të gjejnë mirëkuptim për studentët në këtë fazë, në të cilën gjenden, sidomos për këta studentë të cilët janë para diplomimit”, ka thënë Krasniqi.
Për efektet e grevës kanë folur edhe dekanët.
Violeta Nushi, e cila drejton Fakultetin e Arkitekturës, tha se menaxhmenti ka nisur përpjekjet për të gjetur zgjidhje alternative për një numër shërbimesh.
“Zyrtari i IT-së mbulon funksione teknike të domosdoshme për funksionimin e rregullt të shërbimeve IT, të nevojshme për stafin akademik, administrativ dhe studentët. Megjithatë, pavarësisht sfidave, fakulteti po bën përpjekjet e nevojshme për të siguruar vijimin e proceseve bazike të punës. Për disa prej shërbimeve kemi gjetur zgjidhje të përkohshme, ndërsa për të tjerat jemi duke u koordinuar me Rektoratin që të minimizojmë ndikimin e grevës deri në përfundimin e saj”, ka thënë dekania Nushi.
E në Fakultetin Filozofik thanë se është improvizuar një zgjidhje, për t’iu përgjigjur kërkesave të studentëve.
“Kemi telashe në Fakultet nga greva e zyrtarëve të IT-së, për shkak se mjaft njoftime e kërkesa nga stafi nuk janë duke u procesuar, edhe pse e mirëkuptojmë dhe i përkrahim arsyet e grevës dhe kërkesat e grevistëve. Kemi arritur deri diku të gjejmë mënyra alternative të kryerjes së detyrave të paraqitura, mirëpo me shumë vështirësi dhe improvizime të përkohshme”, ka thënë Bekim Baliqi, dekan i Fakultetit Filozofik.
Gjatë ditës KOHA ka kërkuar informacione edhe nga fakultete të tjera në lidhje me pasojat e grevës së punonjësve të Departamentit të Teknologjisë Informative dhe Administratorëve të Sistemeve të UP-së, por gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje.
Përgjigje se si do të zgjidhet kjo çështje nuk kanë kthyer as në Rektorat.
E, në Parlamentin Studentor shprehën pritjen që Rektorati t’i japë zgjidhje problemit.