Arbëri

Studentët i kërkojnë bursat nëpërmjet peticionit, pasi i anuloi ish-ministri

Rreth 800 nënshkrime të studentëve të universiteteve publike në Kosovë, janë dorëzuar këtë të hënë në Ministrinë e Arsimit.

Studentët, me anë të këtij peticioni, kanë kërkuar jetësimin e konkursit të shpallur për bursa nga MASHTI në tetor të 2019-s, i cili ishte anuluar nga ministri i atëhershëm, Shyqyri Bytyqi, raporton KOHA.

Studentët, të cilët dorëzuan peticionin, kanë thënë se në Ministri kanë shprehur interesim për këtë por që nuk u është thënë asgjë konkrete.

Derisa, këta studentë kanë treguar se do të vazhdojnë me masa të tjera në rast se Ministria nuk ndërmerr asnjë hap.

Ata thonë se kjo bursë është ndihmesë për ta, për t’i vazhduar studimet.

KOHA ka pyetur zyrtarë të Ministrisë së Arsimit nëse do të realizohen kërkesat e studentëve, por ata nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.

Pas konkursit të shpallur nga Ministria e Arsimit, studentë të departamenteve të

ndryshme kishin organizuar protesta të shumta, duke kërkuar edhe përfshirjen e tyre në këtë konkurs. Madje, studentët e Fakultetit të Edukimit e kanë bojkotuar edhe mësimin për disa ditë.