Qeveria e Kosovës është duke i diskutuar me Shtetet e Bashkuara detajet e strehimit dhe mbrojtjes së refugjatëve nga Afganistani.
Rreth çështjes së afganëve pasi shteti ra në duart e talebanëve është deklaruar të martën edhe kryeministri Kurti që ka thënë se shifrat, kohëzgjatja dhe vendi i strehimit do të bëhen të ditura së shpejti.
Sipas tij, përveç aspektit të solidaritetit, strehimi i tyre është edhe dimension i aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara.
“Ne i kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatin kryesor dhe partnerin strategjik të pazëvendësueshëm dhe çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë e ka gjithashtu edhe dimensionin e aleancës dhe partneritetit me shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Albin Kurti.
Ai ka shtuar se prej një muaji Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me ShBA-në, për çka janë caktuar edhe ekipe që po merren me strehimin e tyre në Kosovë.
“Ka një muaj që Qeveria e Republikës së Kosovës është në kontakt, komunikim dhe bashkëpunim të rregullt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të përgatitur në aspektin organizativ., logjistik, teknik por edhe të sigurisë e social strehimin dhe mbrojtjen e një numri të refugjatëve nga Afganistani. Ne jemi shtet serioz dhe tash e një muaj këtë punë e kemi bërë pa zhurmë dhe me shumë kujdes meqenëse çështja e refugjatëve nga Afganistani është jo vetëm një çështje e dhimbshme njerëzore por edhe një çështje e ndjeshme e sigurisë”, tha Kurti.
Pas vendimit që të pranojë refugjatë nga Afganistani, Kosova është përgëzuar nga Shtetet e Bashkuara. Ambasadori Philip Kosnett ka thënë se Kosova edhe një herë dëshmoi lidership në skenën botërore.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, falënderimet më të thellat nga unë për Qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë që t’u ofrohet strehim partnerëve tanë afganë në rrugëtimin e tyre drejt një jete të re. Edhe një herë, Kosova dëshmoi lidership në skenën botërore”, ka shkruar Kosnett.
Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se vendimi i Qeverisë do të pritet mirë në Washington teksa e quan sfidues procesin e strehimit të afganëve në vendin tonë.
“Do të pritet mirë në Washington. Kosova duhet të fillojë të kontribuojë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Kjo është njëra prej mënyrave se si mund ta bëjë.
Do të kërkohen përpjekje të bashkërenduara për të mirëpritur afganët, për të komunikuar mirë me ta dhe për të ndihmuar në vendosjen e angazhimeve përkatëse. Integrimi në shoqërinë kosovare nuk do të jetë i lehtë, pasi Kosova nuk është mësuar të absorbojë të huajt”, ka thënë eksperti amerikan Daniel Serwer.
Përveç Kosovës, pranimin e afganëve deri më tani e kanë konfirmuar Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kanadaja.
Grupi i parë me shtetas afganë pritet të mbërrijë në Shqipëri brenda 24 orëve.