Shefi i shtabit të Përgjithshëm të Forcave Speciale në Shqipëri, Arben Kingji, ka njoftuar për një stërvitje 72-orëshe të cilën janë duke e zhvilluar ushtarët shqiptarë në male me borë dhe në temperatura nën zero.
Përmes një postimi në Facebook, Kingji theksoi se kjo stërvitje ka për qëllim rritjen e gatishmërisë e qëndrueshmërisë operacionale në mjedise të vështira, në mënyrë që të përmbushet me sukses çdo mision.
Stërvitja është emërtuar "Shigjeta Ilire-26".
“Efektivat e Batalionit të Forcave Speciale po zhvillojnë stërvitjen dimërore 72-orëshe “Shigjeta Ilire-26” në kushte ekstreme malore me dëborë dhe temperatura nën zero. Kjo stërvitje ka për qëllim forcimin e aftësive fizike dhe psikologjike në kushte mbijetese, testimin e armatimit dhe pajisjeve të reja, rritjen e gatishmërisë dhe qëndrueshmërisë operacionale për të operuar në mjedise të vështira për përmbushjen me sukses të çdo misioni me profesionalizëm të lartë”, ka shkruar Kingji.