Në shqyrtimin fillestar për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndaj Stefan Spasojeviqit, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë.
Aktakuza ndaj Spasojeviq thotë se më datë 14.10.2023, rreth orës 08:20, në fshatin Dren të Komunës së Zubin-Potokut, i pandehuri me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mos durimit ndërmjet grupeve etnike në Republikën e Kosovës, si dhe me qëllim të prishjes së rendit publik, ka ndërmarrë veprime konkrete në atë mënyrë që gjatë ndalimit për kontroll policor, i pandehuri ka pasur të veshur një maicë të zezë me mbishkrime me motive nacionaliste, në pjesën e përparme, të së cilës gjendej harta e Kosovës me mbishkrimin “NE DAMO TE ZEMLJUDUSANOVA” (që në gjuhën shqipe nënkupton “Ne nuk do t’jua japim tokën e Car Dushanit”), ndërsa në pjesën e pasme të saj ishte mbishkrimi “RANVOGORSKI POKRET – IBARSKI KOLASIN”, që përfaqëson emrin e një lëvizjeje politike me përmbajtje nacionaliste dhe motive nxitëse ndaj grupeve të tjera etnike në Republikën e Kosovës.
Me këto veprime thuhet se publikisht ka nxitur urrejtje ndërmjet grupeve etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës, duke kontribuar drejtpërsëdrejti në prishjen e rendit publik.
Dënimi i rekomanduar në bazë të marrëveshjes për pranimin e fajësisë është 6 muaj burgim që përkthehet në gjobë nga 2500 deri në 3000 euro.
Avokati i të pandehurit, Shyqyri Syla kërkoi që të merren parasysh rrethanat lehtësuese si pendimi i të pandehurit dhe kërkim falja e tij dhe të dënohet me 2500 euro gjobë.
Gjyqtari Lutfi Shala e caktoi shpalljen e aktgjykimit nga ora 13:30.
Spasojeviq dënohet me 3000 euro gjobë për nxitje të përçarjes
I akuzuari për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, Stefan Spasojeviq, është dënuar me tre mijë euro gjobë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Vendimi u mor gjatë shpalljes së aktgjykimit, ku gjyqtari Lutfi Shala tha se dënimi prej gjashtë muajsh burgim i zëvendësohet me burgim me gjobë.
“Është fajtor për shkak se ka kryer veprën penale ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’, andaj gjykata në kuptim të dispozitave ligjore, materiale dhe procedurale të akuzuarin e gjykon me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh. Dënimi i shqiptuar me burgim me kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, me pëlqim të të akuzuarit, i zëvendësohet me dënim me gjobë në lartësi prej tre mijë eurosh. Nëse ky dënim me gjobë nuk mund të realizohet sipas dispozitave në fuqi, i njëjti do të zëvendësohet me dënim burgimi”, ka thënë ai.