Arbëri

Stafi mjekësor në Emergjencën e Lipjanit kërcënon dëshmitaren për rastin e vdekjes së 56-vjeçarit

Stafi mjekësor në Emergjencën e Lipjanit ka kërcënuar dëshmitaren e cila të shtunën foli për media për rastin e vdekjes së 56-vjeçarit nga fshati Dobrajë.

Ajo ka njoftuar Policinë e Kosovës se mjeku i Emergjencës, Besnik Reçica, e ka kërcënuar të dielën në mbrëmje derisa po kërkonte një trajtim mjekësor në Emergjencë. Kjo dëshmitare e cila vazhdon të mbetet anonime për publikun, ka incizuar me video edhe bisedën me stafin mjekësor të dielën, derisa ata po ua kërkonin pagat për mjekun e suspenduar për rastin e së shtunës. Në video-incizim vërehet mjeku Besnik Reçica duke thënë: “Ti ke për t’u përgjigjur, mbaje mend se çka po të them. Ti ke për t’ia dhënë pagën doktorit, sepse ti e ke larguar nga puna. Nëse ke pak fytyrë t’i duhet me ja jep rrogën”.

Ndërkohë në video dëgjohet edhe dëshmitarja duke i thënë mjekut Reçica se: “Ke mund të jesh në orar të punës ditën e shtunë, por ke qenë duke e shikuar lojën e futbollit”.

Koha ka kontaktuar me këtë dëshmitare cila ka sqaruar se për rastin e së dielës e ka lajmëruar edhe Policinë e Kosovës.

“Pas publikimit të videos e gjendjes virale isha dje tek Emergjenca prapë për ta matur tensionin, sepse ndihesha në ankth dhe me marramendje, mirëpo doktori Besnik Reçica mu qas me akuza dhe kërcënime qe ‘ti ki me ja paguar rrogën doktorit’ të suspenduar, pastaj ti ki me pa mirë e kjo është krejt politike dhe akuza të shumta. Unë ju drejtova me çfarë të drejte më akuzon, unë kam ardhur si paciente dhe duhesh të më japësh shërbim dhe janë hetuesia e policia që duhet të merren me këtë pune, jo ne”, ka thënë dëshmitarja për Kohën.

Ajo shpjegon se ka kërkuar nga mjekët e veçanërisht nga Besnik Reçica që ta kryejnë punën si mjekë pa asnjë diskutim, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“I tregova se tash e thërras dhe Policinë, më tha shko në ‘Polak’ që nuk e kuptoj këtë shprehje të tij dhe shumë qasje të vrazhdë e kërcënuese qe unë kam gisht në publikimet e fakteve dhe duhet t’ia paguaj rrogat mjekut të suspenduar. Pas kësaj gjendje u drejtova dhe në Polici për me raportuar, po ashtu tash do të drejtohem me ankesë edhe te Oda e Doktorëve”, ka rrëfyer më tej ajo, duke shprehur shqetësime se në të ardhmen nuk mund të shkojë të marrë ndonjë shërbim mjekësor në Emergjencën e Lipjanit.

“Ju lutem të jetë deklarata ime publike, duke e menduar të mirën e qytetarëve dhe në të ardhmen të përmirësohen shërbimet në shëndetësi dhe sjellja arrogante e stafit ndaj qytetarëve. Mos të kërcënohet asnjë grua sepse sikur të ishte një mashkull qasja e doktorit e besoj nuk do të ishte e njëjtë”, ka shtuar ajo.

Koha ka kontaktuar edhe me doktorin në Emergjencën e Lipjanit, Besnik Reçica i cili ka mohuar të ketë kërcënuar dëshmitaren e rastit të së shtunës, por sqaron se ajo nuk ka pasur të drejtë të incizon brenda institucionit pa autorizim.

“Ajo vajzë ka ardhur politikisht aty për qëllime të vetat se për një therje të vogël të këmbës e ka marrë emergjencën dhe e ka dërguar në Prishtinë, që është gabim. Rasti i incizimit të së shtunës nuk ka të bëjë me rastin e pacientit që ka vdekur, por kjo dëshmitare e ka montuar sepse e ka dërguar një familjar të vetin dhe e ka bërë incizimin aty. I thash se ju e keni larguar nga puna doktorin me incizime. Ajo më akuzonte se unë isha atë ditë në futboll, por ia kam shpjeguar se ka qenë ditë pushimi për mua dhe shkoj ku të dua. Pra nuk e kam kërcënuar atë dëshmitare por vetëm i kam treguar se nuk ka të drejtë të bën incizime brenda pa autorizim”, ka thënë Reçica.