Policia e Kosovës, pikërisht Departamenti për Krime Ekonomike, ka vendosur shirita dhe ka nisur hetime lidhur me projektin e ndërtimit të stadiumit të futbollit në Dobrajë të Madhe të Lipjanit.
Për të nisur hetimet në këtë projekt, por edhe në projektin e stadiumit të Magurës, opozita në Lipjan, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pati bërë thirrje disa herë nëpërmjet konferencave e komunikatave publike.
Ditë më parë ishin arrestuar 7 zyrtarë komunalë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, autoritetit dhe mashtrime në projektin e stadiumit të Magures derisa dyshohen se kishin bërë pranim të punimeve pa u përfunduar ato.
Pas kësaj ngjarje, Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan ka kërkuar qasje në dokumente publike për stadiumin e Dobrajës, ndërkaq në përgjigjen e komunës thuhet se nuk mund të jepej i gjithë dokumentacioni për shkak të hetimeve të nisura.
“Për shkak se një pjesë e dokumenteve (Dosja për ndërtimin e stadiumit në fshatin Dobrajë e Madhe) janë pjesë e dosjes së kërkuar nga njësia rajonale për hetimin e Krimeve Ekonomike, komuna e Lipjanit bazuar në ligjin NR.06/l-081 për qasje në dokumente publike, neni 17, paragrafi 2.3 i këtij neni (Parandalimit, hetimit dhe ndjekjes së veprave penale në rastet kur publikimi i dokumenteve publike mund të dëmtojë procesin e hetimit), refuzon qasjen në këtë dokument”, thuhet në përgjigjen e komunës dërguar Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkohë gjatë së premtes me gjithë përpjekjet e KOHES, zëdhënësja e Komunës, Hyra Bytyqi, nuk është përgjigjur në telefon.
Arsim Jashari, shef i grupit të kuvendarëve nga radhët e PDK-së, ka thënë se kohë më parë kanë kërkuar përgjegjësi nën dyshimin e keqpërdorimit të parasë publike nga menaxherët e kontratave për projekte të caktuara. Sipas tij, zyrtarët komunalë ishin zotuar se punimet në stadiumin e Dobrajës kanë përfunduar, ndërkohë objekti përballet me varg telashesh sa herë që ka të reshura të shiut.
“Policia tashmë i ka vendosur shiritat edhe në stadiumin e Dobrajës. Andaj është shqetësuese kur zëdhënësja e komunës thoshte se stadiumi i Dobrajes ka përfunduar dhe tash është në menaxhim të klubit, ndërkohë të gjitha hapësirat në zhveshtore vërshohen nga uji sa herë që ka të reshura të shiut. Pra ai investim ka dështuar sepse është keqmenaxhuar. Prandaj kërkojmë nga organet e drejtësisë që ta kryejnë punën me profesionalizëm deri në fund që nga nisja e projektit e deri në finalizim”, ka thënë Jashari.
Gjatë të premtes, kuvendarët nga Lëvizja Vetëvendosje kanë vizituar stadiumin e Dobrajës dhe kanë njoftuar se tashmë Krimet Ekonomike kanë vendosur shiritat dhe kanë nisur hetimet. Alban Salihu, shef i grupit të Kuvendarëve të LVV-së, ka thënë se edhe në të kaluarën kanë denoncuar “keqpërdorimin e parasë publike në Lipjan”.
“Vazhdimisht kemi denoncuar keqpërdorimet në shumë projekte të komunës së Lipjanit. Për stadiumin në fshatin Dobrajë e Madhe kemi reaguar në Kuvend dhe jashtë tij. Nuk ka asnjë dilemë që keqpërdorimet aty janë evidente. Lajm i mirë që krimet ekonomike kanë filluar hetimet dhe ne si opozitë njëjtë sikur për rastin e stadiumit të fshatit Magure edhe për këtë rast kërkojmë zgjerimin e hetimeve duke përfshirë kryetarin e komunës dhe drejtorët përgjegjës”,thuhet në reagimin e Salihut.
{gallery}