Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë thënë se disa parti opozitare ende nuk po arrijnë të dalin nga “koalicioni i 20-vjeçarit” dhe po tentojnë ta kthejnë vendin në periudhën para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, pak para se të nisë përpjekja e 54-t për konstituim në orën 22:00.
Ai ka shkruar se LVV-së dhe Albin Kurtit i duhen votat, por jo me çdo kusht – duke lënë të kuptohet se ka pak shpresa për konstituim sonte.
“Nyja politike apo sharra në gozhdë sot është te pikëprerja para dhe pas 14 shkurtit 2021. Një krah që do me u kthy para asaj dhe një që do të vazhdojë përpara me reforma. Lëvizjes VETËVENDOSJE! e Albin Kurtit i duhen votat, por jo me çdo kusht dhe jo nga e me bindjen e ndokujt që i duket se ‘i erdhi dita’. Lëvizja VETËVENDOSJE! është fituese absolute e zgjedhjeve dhe si e tillë u ka bërë ftesë disa prej subjekteve parlamentare opozitare për qeverisje. Siç duket ata nuk mund të shkëputen nga koalicioni i 20 vjeçarit, prandaj edhe kërkojnë rikthimin para 14 shkurtit 2021.”, ka thënë ai.
Manxhuka shtoi se qytetarët kanë votuar Vetëvendosjen edhe duke ndëshkuar atë periudhë qeverisëse.
“Ne as nuk duhet, as nuk duam të bëhemi si ai 20-vjeçar, sepse Republika e Kosovës nuk do të kthehet atje ku ishte”, ka shtuar ai.
