Një karrige për shërbimin e dializës, SHSKUK-ja e ka blerë me çmim prej rreth 3 mijë e 500 eurosh. Të tilla i ka blerë gjithsej 90. Njëzetepesë prej atyre që janë shpërndarë në Spitalin e Pejës nuk janë duke u përdorur për trajtimin e pacientëve me hemodializë, shkaku i ankesave të tyre se po u shkaktohen dhembje dhe parehati gjatë seancave
3 mijë e 498 euro është blerë një karrige për dializë, për të cilën pacientët nëpër spitale kanë shprehur ankesa.
Bazuar në urdhër-blerjet që i bëri Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar, tetorin e vitit të shkuar janë blerë 90 karrige të tilla, e të cilat i zëvendësuan shtretërit ekzistues për pacientët.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAto janë shpërndarë nëpër spitale në fund të dhjetorit dhe në fillim të këtij viti. Totali i shpenzuar për to deri më tani është 314 mijë e 820 euro.
Për modernizimin e infrastrukturës së ShSKUK-së, kontrata e lidhur me operatorin ekonomik “Made-Kos” është 24-mujore dhe me vlerë të parashikuar deri në 2 milionë euro.
Në shkurt, KOHA pati raportuari se pacientët në Spitalin e Ferizajt janë ankuar se shtretërit janë të fortë dhe të papërshtatshëm për qëndrime të gjata, tek thanë se gjatë seancave rreth katërorëshe të hemodializës u shkaktohet dhimbje, si dhe parehati e vazhdueshme.
Për këtë arsye, Spitali i Pejës i pati rikthyer në përdorim shtretërit e vjetër.
Në këtë spital konfirmuan se 25 karriget e reja ende nuk përdoren për qëllimin e destinuar.
Ndonëse në dosjen e tenderit, si dhe në kërkesën për furnizim, ShSKUK-ja i ka specifikuar si shtretër me emërtimin “karrige për dializë”, në Spitalin e Pejës thanë se ato janë shpërndarë në reparte të tjera.
“Pas vendosjes së shtretërve të rinj kemi pranuar ankesa nga pacientët se ata nuk ishin të përshtatshëm për trajtimet e tyre. Në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) kemi vendosur që këta shtretër të hiqen nga Dializa. Në vend të tyre janë vendosur shtretër të rinj, të modelit që përdoren në repartet e tjera të spitalit tonë, sipas kërkesës së vetë pacientëve të dializës. Ata do të vazhdojnë të përdorin këta shtretër. Shtretërit e rinj të ardhur për dializë janë shpërndarë në reparte të tjera, sipas nevojave dhe kërkesave të shërbimeve, pasi në disa raste janë më praktikë për ofrimin e trajtimeve të caktuara”, ka bërë të ditur Spitali i Pejës.
Në spitalet e tjera nuk janë përgjigjur në pyetjet nëse shtretërit e rinj janë në përdorim për pacientët me dializë. Për këtë çështje, si edhe për situatën në Spitalin e Pejës, ku shtretërit nuk përdoren për qëllimin për të cilin janë blerë, nuk u përgjigjën as në ShSKUK.
E, në një përgjigje të mëparshme, në këtë instancë patën thënë se shtretërit kanë qenë të certifikuar me standarde ndërkombëtare dhe se u takon spitaleve ta bëjnë zgjedhjen më komode për pacientët.
Për ankesat e pacientëve lidhur me shtretërit, përgjigje prej tri javësh nuk ofroi as kompania kontraktuese.