Spitali Rajonal në Ferizaj pas disa muajsh të përballjes me numër të madh të pacientëve me COVID-19, gjatë kësaj jave ka rikthyer programin e rregullt të punës për kryerjen e operacioneve të ndryshme në reparte.
Aktualisht në këtë spital janë të shtrirë 18 pacient me COVID-19, ndërkohë që gjatë muajve të fundit qindra qytetarë janë regjistruar për të kryer operacione “elektive”.
Halit Gerbeshi, drejtor i Spitalit Rajonal në Ferizaj, ka thënë se janë dezinfektuar të gjitha repartet të cilat janë liruar nga pacientët me koronavirus.
“Elektivet janë operacione të tilla, që duhet të parapërgatiten dhe nuk mund të operohen brenda ditës. Pra, një pacient që ka planifikuar të operohet, dhe mbi një muaj e gjysmë i kemi bllokuar për shkak të COVID-it, analizat e tij nuk janë më në gjendjen që kanë qenë para një muaji e gjysmë, kështu që çdo gjë duhet të përsëritet, duhet të bëhen kontrolle tek internisti, anesteziologu...”, ka thënë Gërbeshi.
Të hënën njëri nga anëtarët e familjes Luma nga Komuna e Kaçanikut ka marrë shërbime në Spitalin e Ferizajt.
“Tash kanë filluar përsëri operacionet. Fillimisht na kanë thënë me i ba disa analiza, pastaj e kemi marrë udhëzimin e mjekut për operacion. Operacioni ka shkuar gjithçka në rregull gjatë së hënës dhe mjekët po e përcjellin vazhdimisht gjendjen e motrës sime”, ka thënë M. Luma, familjar i një pacienti.
Shefi i Repartit të Kirurgjisë, Ragip Bytyqi, ka thënë se gjatë kësaj jave janë duke i kryer operacionet urgjente, për të vazhduar sipas listës së pacientëve të regjistruar.
”Brenda kësaj periudhe rreth 2 muaj është grumbulluar një numër mjaft i madh i pacientëve, por ne do t’i thërrasim të gjithë ata që janë duke pritur dhe sipas listës do t’i procedojmë të gjithë. Në këtë javë kemi filluar me operacione emergjente, ndërkohë janë bërë edhe përgatitjet për operacionet e tjera të radhës dhe besojmë se do të ecë puna mirë”, ka thënë Bytyqi.