Për kryerjen e operacioneve elektive në repartin e kirurgjisë, sipas drejtuesve komunalë të Shëndetësisë së Ferizajt paraprakisht janë bërë përgatitjet teknike, duke nisur nga dezinfektimi i hapësirave të brendshme, furnizimi me medikamente dhe materiale të tjera shpenzuese. Këto shërbime, kanë thënë ata, do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë pacientët, por duke i respektuar masat mbrojtëse dhe udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Aktualisht, në Spitalin rajonal të Ferizajt janë të hospitalizuar 22 pacientë me COVID-19, derisa gjendja shëndetësore raportohet të jetë e qëndrueshme
Spitali Rajonal në Ferizaj ka rikthyer programin e rregullt të punës për kryerjen e operacioneve të ndryshme në repartin e kirurgjisë, disa muaj pasi ky institucion kishte pezulluar këto shërbime për shkak të përdorimit emergjent të hapësirave për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Mungesa e hapësirës ka bërë që qindra qytetarë të mos mund t’i kryejnë operacionet elektive në këtë qendër spitalore.
R. Gashi, banor nga rrethi i Ferizajt, ka thënë se prej disa muajsh është duke pritur të hapet reparti i kirurgjisë në Spitalin e Ferizajt për ta kryer një operacion.
“Shkaku i frikës nga pandemia nuk kam shkuar në Spitalin e Prishtinës për ta kryer një operim, andaj jam në pritje që këtë shërbim ta marrë në Spitalin e Ferizajt, sepse aty ka edhe numër të vogël të të infektuarve me COVID-19 dhe mendoj se rreziku është më i vogël. Kam pasur dhimbje të mëdha, por me medikamente dhe në konsultim me mjekët kam qetësuar gjendjen deri tash, por gjatë ditës po pres të regjistrohem për ta kryer këtë shërbim në këtë spital”, ka thënë Gashi.
Aktualisht, në këtë spital janë të hospitalizuar 22 pacientë me COVID-19, derisa gjendja shëndetësore raportohet të jetë e qëndrueshme. Ndërkohë, në të gjithë territorin e kësaj komune janë 182 raste aktive me COVID-19.
Për kryerjen e operacioneve elektive në repartin e kirurgjisë, sipas drejtuesve komunalë të Shëndetësisë paraprakisht janë bërë përgatitjet teknike, duke nisur nga dezinfektimi i hapësirave të brendshme, furnizimi me medikamente dhe materiale të tjera shpenzuese. Këto shërbime, kanë thënë ata, do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë pacientët, por duke i respektuar masat mbrojtëse dhe udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal të Ferizajt, ka thënë për KOHËN se të gjithë qytetarët që kanë pritur me muaj të tërë për operacione elektive, tash e tutje mund të marrin shërbime në repartet e kirurgjisë. Sipas tij, situata aktuale me COVID-19 është më mirë krahasuar me muajt e fundit.
“Reparti i kirurgjisë, ortopedisë dhe gjinekologjisë, siç njihen si reparte operative, tashmë janë liruar nga pacientët me COVID-19 dhe nuk kemi më raste të hospitalizuar. Në këto reparte ne i kemi kryer të gjitha procedurat teknike, higjienës etj., dhe kemi plotësuar kushtet për hospitalizim të rasteve elektive kirurgjikale. Pra, në Spitalin e Ferizajt tashmë janë krijuar kushtet që të rikthehet puna me programe elektive në repartin e kirurgjisë”, ka thënë Zeqiri. Sipas tij, së shpejti pritet të nisin edhe kontrollet specialistike për pacientët me sëmundje të ndryshme shëndetësore.
Zeqiri ka sqaruar se në katin e parë ku aktualisht është reparti i internos, pediatrisë, specialistika dhe emergjencat janë duke bërë trajtimin e pacientëve me COVID-19, ndërkaq në pjesën e katit të dytë kanë ndërtuar një hyrje të veçantë për fillimin e trajtimit të rasteve të kirurgjisë elektive.
“Shërbimet do të kryhen duke respektuar masat mbrojtëse dhe rekomandimet e nivelit qendror. Pra, kjo nënkupton se kemi rifilluar me disa rregulla të reja në mënyrë që ta parandalojmë përhapjen e virusit”, ka bërë me dije Zeqiri. Sipas tij, sa u përket pacientëve me COVID-19, gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe pritet që gjatë javës shumica prej tyre të lirohen nga hospitalizimi.
“Menaxhimin e situatës së pandemisë e bëjmë në dy fronte, ku në frontin e parë pacientët lajmërohen përmes thirrjes që nuk kanë nevojë për oksigjeno-terapi dhe në bashkëpunim me Qendrën e Mjekësisë Familjare bëhet trajtimi i tyre. Ndërsa, pacientët e tjerë që kanë nevojë për hospitalizim ne i trajtojmë dhe i hospitalizojmë të gjithë”, ka shtuar Zeqiri.
Sylejman Metushi, kirurg në Spitalin Rajonal të Ferizajt, ka thënë se tashmë kanë nisur shërbimet për operacione elektive në repartin e kirurgjisë. Sipas tij, shumë pacientë kanë pritur për të marrë këtë shërbim mjekësor.
“Te secili kirurg janë duke pritur dhjetëra raste për operime elektive. Llojet e operimeve elektive mund të presin mbi gjashtë muaj, sepse ato nuk janë emergjente, mirëpo kur pacienti e ndan mendjen për t’u operuar, atëherë stafi i Spitalit Rajonal jemi të gatshëm ta kryejnë këtë shërbim për pacientët. Po besoj se tashmë pacientët nuk do të presin gjatë për t’i marrë këto shërbime nga Spitali Rajonal”, ka thënë Metushi.