Në QKUK lista e pritjes për vendosjen e protezave ka mbërritur në 2 mijë pacientë, ndërkohë që Spitalet rajonale thonë se po përballen me mungesë të materialit për intervenime ortopedike. Në janar të këtij viti, në Spitalin e Pejës është kryer operacioni i parë për vendosjen e protezës, por mjekë nga ky institucion shëndetësor kërkojnë më shumë përkrahje me material nga qendra. Edhe në Spitalin e Gjilanit thonë se kanë staf e hapësira, por jo edhe material
Derisa Klinika e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare numëron gati dy mijë pacientë në listën e pritjes për vendosjen e protezave në gjunjë dhe kërdhokull, ky shërbim në disa nga spitalet rajonale nuk kryhet fare e në disa rrallë.
Në janar të këtij viti, në Spitalin e Pejës është kryer operacioni i parë dhe i vetmi për vendosjen e protezës së gjurit te një 60-vjeçare. Në këtë institucion ka staf të mjaftueshëm, por mungon diçka tjetër. Besnik Ibraj, drejtor mjekësor në Spitalin e Pejës, ka thënë se ekipi është në krye të detyrës dhe se ka nevojë për mbështetje me mjete të punës, si dhe material shpenzues.
“Neve na duhet përkrahje nga SHSKUK-ja me materiale në mënyrë që ta kryejmë punën këtu dhe pacientët tanë të mos kenë nevojë t’i drejtohen QKUK-së, respektivisht Klinikës së Ortopedisë, për punën e njëjtë që mund ta bëjnë këtu. Gjithsesi ata janë shërbim edhe më i avancuar dhe me numër më të madh dhe mjekëve specialistë të profileve të ndryshme nga Ortopedia, por disa punë goxha të suksesshme mund edhe ne t’i kryejmë këtu me ekipin të cilën e kemi”, ka thënë Ibraj.
Në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, në funksion janë vetëm dy nga katër sallat për shkak të mungesës së anesteziologëve dhe brenda javës stafi arrin të vendosë vetëm nga një protezë.
Gani Jashanica, drejtor i kësaj klinike, ka kërkuar funksionalizim edhe të sallave në spitalet rajonale. Në këtë klinikë në lista ka emra që presin afro tre vjet.
“Është kostoja e lartë e çdo operacioni. Nëse ka mundësi 2 milionë euro për t’i siguruar Ministria, për t’i blerë të gjitha protezat dhe për t’i shpërndarë nëpër rajone, ajo është e zgjidhur nga këtu. Vetëm parat të sigurohen dhe të blihen protezat”, ka thënë Jashanica.
Sipas profesionistëve shëndetësorë, çmimi i protezave shkon deri në 2 mijë euro.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se po punohet në sigurimin e materialit.
“Në listat e pritjes në Ortopedi kryesisht ka të bëjë me proteza dhe materiale të cilat janë jashtëzakonisht të shtrenjta dhe janë duke e përgatitur edhe listën e këtyre materialeve me specifikacionet teknike për të parë që ne pastaj sa më shpejt, SHSKUK-ja t’i marrë këto materiale dhe t’ua vendosen pacientëve që janë në këto lista të pritjes”, ka thënë Vitia.
Në Spitalin e Gjilanit kanë bërë të ditur se kanë hapësira dhe staf të mjaftueshëm për të kryer këtë shërbim. Por, edhe aty problem e kanë furnizimin me material. Drejtori i Spitalit, Arsim Emini, ka theksuar problemin me material dhe se shpenzimet e blerjes së tyre i mbulojnë vetë pacientët.
“Deri më tash me proteza totale është furnizuar vetëm QKUK-ja, kurse spitalet e përgjithshme nuk janë furnizuar, sipas të gjitha gjasave, për shkak të mungesës së buxhetit. Për këtë arsye pacientët nga rajoni i Anamoravës, por edhe nga rajonet e tjera kërkojnë këto shërbime te ne, kurse shpenzimet e blerjes së protezave ata i bartin vetë në pamundësi nga ana jonë për të mbuluar këto shpenzime”, ka thënë Emini.
E në Spitalin e Vushtrrisë nuk është i funksionalizuar Reparti i Ortopedisë për mungesë të mjekut ortoped.
“Ju njoftojmë se në Spitalin ‘Sheikh Zayed’ nuk është funksional Reparti i Ortopedisë dhe nuk ka qenë asnjëherë për shkak se nuk kemi mjek ortoped. Rastet sikur këto transferohen në Spitalin e Mitrovicës ose në QKUK”, kanë thënë përmes një përgjigjeje me shkrim në Spitalin e Vushtrrisë.
E në Spitalin e Mitrovicës "Dr. Sami Haxhibeqiri", kanë bërë të ditur se kërkesat për kryerjen e intervenimeve të protezave të gjurit dhe kërdhokullës janë të mëdha. Kanë thënë se Reparti i Ortopedisë ka një sallë operative dhe se kanë tetë mjekë specialistë ortopedë.
“Kërkesat e pacientëve për kryerjen e këtyre intervenimeve janë shumë të mëdha dhe vazhdimisht rritet kërkesa për arsye të listës së pritjes që është në QKUK. Vështirësi kemi në realizimin e operacioneve të gjurit tek të rinjtë konkretisht ligamentoplastik e gjurit sepse të njëjtin aparaturë (artroskopi) përdoret edhe nga Reparti i Ortopedisë dhe Reparti i Kirurgjisë. Në Repartin e Ortopedisë të Spitalit tonë para pandemisë gjatë viteve 2017-2020 janë kryer 64 intervenime të protezës së gjurit dhe kërdhokullës ndërsa gjatë viteve 2020-2023 janë kryer 18 intervenime”, kanë thënë në Spitalin e Mitrovicës.
Spitali i Ferizajt dhe Prizrenit nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me këto çështje, e Spitali i Gjakovës ka njoftuar se në Repartin Ortopedik ka filluar me implantimin e këtyre protezave prej muajit dhjetor 2014 deri në muajin mars 2022, duke operuar gjithsej 41 pacientë, prej të cilëve 22 kanë vendosur proteza gjuri e 19 proteza të kërdhokullave.
“Meqenëse nga Ministria e Shëndetësisë, gjegjësisht ShSKUK-ja asnjëherë nuk kemi marrë proteza totale të gjurit dhe të kërdhokullave, kemi pasur presion të madh të pacientëve për t’i operuar. Të gjithë pacientët janë adresuar për operim fillimisht në QKUK, por meqenëse koha e pritjes ka qenë prej 3-5 vjetësh për të ardhur në rend të operohen në QKUK, dhimbjet e mëdha që janë prezentë te pacientët, kanë detyruar ata që të insistojnë që protezat t’i sigurojnë në mënyrë vullnetare-privatisht t’i blejnë dhe ne ju kemi mundësuar atyre që t’ua kryejmë këto operime meqenëse posedojmë staf të mjaftueshëm dhe profesional që t’i kryejmë ato”, ka thënë Selajdin Boshnjaku, u.d. i shefit të Repartit Ortopedik në Spitalin e Gjakovës.
Boshnjaku ka thënë se në muajin e tretë të vitit të kaluar kanë ndërprerë vendosjen e tyre dhe se janë në pritje të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Në muajin mars të vitit 2022 kemi ndërprerë këtë mundësi dhe paraprakisht kemi kërkuar në mënyrë zyrtare në drejtori që të na sigurohen këto proteza që të mund të vazhdojmë t’i operojmë pa pasur nevojë që pacienti t’i blejë. Drejtoria e ka përcjellë kërkesën tonë në Ministrinë e Shëndetësisë, dhe ne deri më tani akoma nuk kemi marrë përgjigje e as proteza. Jemi në gjendje të vazhdojmë t’i punojmë në momentin kur të na arrijnë protezat ose me lejen e Drejtorisë të ju mundësohet që pacientët t’i sigurojnë vetë”, ka thënë Boshnjaku.
Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar nuk kanë kthyer përgjigje për mundësinë e forcimit të këtij shërbimi edhe në spitalet rajonale.