Psikologë klinikë që janë në proces specializimi u ankuan se në prag të përmbylljes së programit, institucionet u kanë vënë kushte të reja. Nëpërmjet një reagimi, ata treguan se u është caktuar një test për të kompensuar orët e ligjëratave që nuk i kanë ndjekur, ndonëse kanë përmbushur kërkesat e programit të specializimit, që saktësojnë se pjesëmarrja në ligjërata duhet të jetë së paku në shkallën 80 për qind
Specializantët e psikologjisë klinike, të cilët në muajin janar do t’i nënshtrohen provimit për këtë nivel të avancimit profesional, kanë shprehur shqetësimin për një kusht që kanë vënë institucionet në prag të përmbylljes së programit.
Nëpërmjet një reagimi ata treguan se ndonëse kanë arritur t’i ndjekin 80 për qind të ligjëratave të shkollimit specialistik, siç kërkohet në program, tani u është kërkuar arritja e 100-përqindëshit. Për këtë u është caktuar një test për të kompensuar, siç u është thënë, orët teorike të humbura.
“Sipas programit specialistik, i vetmi kriter i përcaktuar qartë për pjesën teorike është që specializantët duhet të kenë minimum 80% pjesëmarrje në ligjërata. Në program nuk ekziston asnjë nen, pikë apo dispozitë që parashikon testim, provim apo vlerësim kompensues për orët e mungesës. Ky program është dërguar në mënyrë zyrtare përmes emailit nga Komiteti Specialistik dhe kemi punuar në bazë të tij”, thuhet në një reagim të tyre.
Specializantët kanë thënë se testi u është bërë obligim, nën arsyetimin se programi ka pësuar ndryshime, por të cilat nuk u janë kumtuar atyre.
“Specializantëve po u komunikohet se programi është ‘rishikuar më herët’, por ky version i rishikuar nuk është dërguar asnjëherë te ne deri më tani. Kjo ngre dyshime serioze se institucionet po kërkojnë të zbatojnë retroaktivisht rregulla të pakomunikuara dhe të papublikuara, që bie ndesh me çdo standard të transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale”, thuhet në reagim.
Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë ofruar përgjigje lidhur me pretendimet e ngritura nga specializantët.
Kushti për vijimin e 80-përqindëshit të pjesës teorike është i precizuar në Programin Specialist të Psikologjisë Klinike, si dhe në Udhëzimin Administrativ për shkollimin specialistik.
“1. Specializanti duhet të: 1.7. të përcjellë së paku 80% të ligjëratave gjatë shkollimit specialistik. Specializanti psikolog klinik duhet të ketë vijuar 80 % të pjesës teorike”, thuhet në dokumentin që përmban detyrat dhe obligimet e specializantit.
Pavarësisht kësaj, sipas grupit të specializantëve, asnjëri nga dokumentet nuk është duke u zbatuar.
Pavarësisht se shumë specializantë kemi pjesëmarrje mbi 80%, tani jemi njoftuar se duhet t’i nënshtrohemi një ‘testimi kompensues’ të personalizuar për orët e mungesës më datë 23 dhjetor. Ky test: nuk është i përmendur në asnjë pjesë të programit, nuk ka bazë juridike apo akademike brenda dokumentit zyrtar dhe po kërkohet pa transparencë, pa udhëzues dhe pa rregullore të dakorduar. Për më tepër, specializantëve u është dërguar një program i specializimit në psikologji klinike në vitin 2022 në bazë të cilit edhe kemi plotësuar obligimet tona si specializant”, thuhet në reagim.
Për rrjedhojë, provimit specialistik do të mund t’i nënshtrohen vetëm specializantët që e kalojnë “testimin kompensues” për orët e ligjëratave në të cilat kanë munguar dhe i cili do të jetë i personalizuar.