Arbëri

SPAK-u ngre aktakuzë ndaj zëvendëskryeministres së Shqipërisë, Belinda Balluku

Belinda Balluku

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar të premten akuzën ndaj Belinda Ballukut, zëvendëskryeministre njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

Sipas njoftimit të SPAK-ut, hetimi lidhet me veprimet e ministres Balluku në cilësinë e saj si drejtuese e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në një nga procedurat e prokurimit publik që përfshin projektin “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum–Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë–Sarandë).

Sipas SPAK-ut, procedura fillestare e tenderimit u zhvillua më 11 dhjetor 2020, por pas anulimit të saj, u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 190 milionë eurosh (pa TVSH).

Prokuroria ka bërë të ditur se më 21 tetor 2025, i ka dërguar njoftim zyrtar të pandehurës Balluku për akuzën ndaj saj. Ministrja është lajmëruar për t’u paraqitur në datën e caktuar, por më 23 tetor ka njoftuar se nuk mund të merrte pjesë në orarin e parashikuar.

SPAK më pas i ka përcaktuar një afat të ri për paraqitje, sot më 31 tetor, në orën 15:00, për t’u njohur me akuzën dhe për të dhënë sqarimet përkatëse. Pas daljes nga ndërtesa e SPAK-ut, Balluku u shpreh për mediat se ajo pranoi ftesën e këtij institucioni për “një çështje në hetim”.

“Si qytetare e Republikës dhe si një zyrtare publike e shikoj këtë si një proces, një proces i cili jam shpresëplot se do të jetë i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe mbi të gjitha mbi parimet e drejtësisë të pandryshueshme, tek e cila besoj”, ka thënë ajo pa pranuar pyetje nga gazetarët.

Hetimet për rastin janë në fazë paraprake, ndërsa çështja e tunelit të Llogarasë ka qenë një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të qeverisë shqiptare, me dyshime të vazhdueshme për favorizim kompanish dhe shkelje të procedurave të konkurrencës.

Ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u pyet të komentonte çështjen e Ballukut, pasi mediat në Shqipëri, duke u thirrur në burime, kishin raportuar se SPAK-u e kishte ftuar Ballukun që të paraqitej para këtij organi.

“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, siç e kam thënë ne kemi punën tonë, drejtësia punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykatat popullore, politike dhe mediave që i shërbejnë politikës”, ka thënë Rama për Deutche Welle.

SPAK është krijuar në dhjetor të vitit 2019, pas ndryshimeve kushtetuese që u votuan më 2016. Kjo strukturë ka hetuar disa ish-zyrtarë, ish-ministra e deputetë, të cilët janë duke e vuajtur dënimin.

Ky organ ka kryer hetime kundër korrupsionit ndaj figurave të larta, sikurse ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Berisha është liruar nga arresti shtëpiak në fund të nëntorit të vitit të kaluar, ndërkaq Meta gjendet në paraburgim. Hetime po zhvillohen edhe ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili po ashtu është në paraburgim.