Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla kanë dështuar të zgjidhen kryeparlamentare në seancën e parë konstituive pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në të dy votimet, kandidatet morën nga 57 vota pro, 56 kundër e nga tri abstenime. Pas dështimit të tyre, seanca është shtyrë për 22 gusht.
Limaj: S’kemi votë për VV-në pa marrëveshje politike
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka bërë të ditur se pa një marrëveshje politike nuk do të kenë votë për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje të propozuar për kryetar të Kuvendit.
Limaj teksa hyri në Kuvend tha se nuk është takuar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Partia e parë më të drejtën e propozimit për kandidat siç e thotë edhe aktgjykimi përveç të drejtës ka edhe obligime që të punojë fortë për të ndërtuar një shumicë qeverisëse parlamentare e cila do t’i jepte vendit institucione dhe presim që këta hapa t’i bëjë partia që ka të drejtën e propozimit… ne e kemi hap një mundësi, mundësitë janë të hapura dëshira dhe angazhimi jonë është për t’ia ofruar mundësinë Kosovës për institucione… Besoj që partia e parë duhet të gjejë rrugë për të ndërtuar këto kapacitet të një shumice parlamentare. Nëse këtu veprohet sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese derisa nuk ka një marrëveshje politike votimi ynë ai që ka qenë para se të hyjmë në atë komisionin e fshehtë. Ne nuk kemi votë pa një marrëveshje politike e cila prodhon ndërtimin e institucioneve”, tha ai.
Peci: Kisha pritshmëri nga LDK-ja e AAK-ja për votimin e Donika Gërvallës
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se është e qartë se emri i Albulena Haxhiut nuk është problem për opozitën.
Sipas tij, sot ka koordinim mes partive opozitare dhe Listës Serbe.
“Unë i kam pas disa pritshmëri te disa parti politike. Kam pas pritshmëri te LDK-ja, sepse nëse e shohim në gjenezë Donika Gërvalla është më LDK se këta që sot janë në logon e LDK-së. Nuk e kam heq nga lista e pritshmërisë as AAK-në”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kjo dëshmon që inati e mposht racionalitetin në politikë.
Murati: Opozita është e interesuar ta kthejë Listën Serbe në Qeveri
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se u vërtetua sot se në Kosovë janë dy blloqe – njëri me 57 vota që ka dalë nga votat e popullit dhe blloku tjetër, LDK, PDK, AAK, Lista Serbe dhe disa deputetë në mes, që e duan të bllokuar Kuvendin.
Lëvizja Vetëvendosje dështoi të mërkurën në dy tentime për ta zgjedhur kryeparlamentarin. Fillimisht dështoi emri i Albulena Haxhiut që ka dështuar edhe më herët, e më pas dështoi edhe emri i Donika Gërvallës. Partitë që deri tash ishin në opozitë votuan kundër.
“Kur ne propozuam Albulena Haxhiun na thanë që nuk e votojmë atë. Sot kur u ndryshua kandidati sërish është situatë identike. Kjo është dëshmi që kemi të bëjmë me taktika bllokuese. Qëllimi i tyre është që ta kthejnë një qeverisje të vitit 2019 kur ka qenë edhe Lista Serbe në Qeveri”, ka thënë ai.
Murati ka thënë se partitë që deri në këtë legjislaturës ishin opozitë janë kundër secilit kandidat të VV-së por nuk deklarohen kundër nënkryetarit kandidat të Listës Serbe.
Sipas tij, po të ishte mundësuar votimi i fshehtë, njëra nga kandidatet do të ishte votuar, teksa vendimin e Kushtetueses e ka quajtur të çuditshëm.
Kadrijaj: VV-ja qëllimshëm po propozon figura që nuk votohen
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje me propozimin e Donika Gërvallës, pas Albulena Haxhiut, qëllimshëm po “propozon figura që nuk votohen”.
Në seancën e parë konstituive pas Aktgjykimit të Kushteuteses, sipas Kadrijajt, gjithçka do të duhej të niste me kërkim falje për shkelje të Kushtetutës. Ajo ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar që LVV-ja po vepron jashtëligjshëm.
“Kushtetuesja e konstatoi atë që e kemi thënë në vazhdimësi. Ata e kanë ditë që Haxhiu nuk ka votë, sërish e propozuan. Ne i kemi ofruar alternativat që nuk i kanë pranuar dhe qëllimshëm po propozojnë kandidatë që nuk e marrin shumicën e votave”, ka thënë ajo.
Bajrami: VV-ja e dinte që s’do të votohej as Gërvalla, s’janë të interesuar për konstituim
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka interes për ta konstituuar Kuvendin.
Pas dështimit të Albulena Haxhiut për t’i marrë votat për kryeparlamentare, të mërkurën VV-ja propozoi edhe emrin e Donika Gërvallës. Edhe ajo dështoi. E sipas Bajramit, VV-ja e ka ditur që të dyja kandidatet nuk do të merrnin votën e deputetëve.
“Është fatkeqësi që ne sot nuk kemi institucione. Zyrat e Qeverisë janë të uzurpuara nga njerëz që ju ka kaluar mandati. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të merret seriozisht me 17 kallëzime penale që ne i kemi dorëzuar”, ka thënë ajo.
Krasniqi: VV-së ia votojmë vetëm ndonjë kandidat që s’ka qenë pjesë e Qeverisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se deputetët e partisë së tij do të votojnë për kryeparlamentar vetëm ndonjë deputet që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti.
Në deklaratën për media pasi Vetëvendosje dështoi ta zgjedhë kryeparlamentare Albulena Haxhiun apo Donika Gërvallën, Krasniqi ka thënë se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar.
“Neve na është pamundësuar votimi prej atëherë, por për fat të mirë morën fund sot pas aktgjykimit të Kushtetueses. Ne erdhëm sot me shpresën se Lëvizja Vetëvendosje do të rezonojë arsyeshëm dhe do të propozojë kandidat që do të votohej. Megjithatë, ata dolën me dy propozime ndryshe nga herët e kaluara kur kanë propozuar vetëm një. Nuk e di me çfarë logjike e mbylli Dehari seancën, kanë mundur t’i propozojnë edhe të tjerët sot. Megjithatë mund të themi se kemi një rikthim nga pika që nuk është dashur të largohemi asnjëherë”, ka thënë ai.
Dështon edhe votimi për Donika Gërvallën
Ka dështuar të marrë shumicën edhe kandidatja Donika Gërvalla për kryetare të Kuvendit.
Ajo mori 57 vota për 56 kundër, tri abstenime.
Seanca e radhës do të mbahet më 22 gusht në orën 10.
VV-ja propozon Donika Gërvallën për kryeparlamentare
Pas dështimit të votimit të Albulena Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar emrin e Donika Gërvallës për kryeparlamentare.
Ka qenë hera e parë që në legjislaturën e re, si propozim për kryeparlamentar ka qenë një emër tjetër, pos ai i Albulena Haxhiut.
VIDEO:
S’ka vota për Haxhiun kryeparlamentare, as pas Aktgjykimit të Kushtetueses
Albulena Haxhiu ka dështuar për t’u bërë kryeparlamentare edhe në tentimin e parë pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive. Të mërkurën, ajo mori 57 vota pro, ndërsa kundër votuan 56. Tre deputetët e Nismas abstenuan.
Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese e publikoi Aktgjykimin për seancën konstituive. Sipas Aktgjykimit, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh dhe e drejta e propozimit të kryeperlamentarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar i dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Aktgjykimi e kufizon në vetëm tri votime kandidaturën për kryetar Kuvendi.
Deri tash, kandidatja e vetme e propozuar nga Vetëvendosja ka qenë Albulena Haxhiu, e cila në vazhdimet e seancës para se të kërkohej kalimi në votim të fshehtë, nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.
Haradinaj: S’kemi votë për Haxhiun, por po për tre të tjerë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, para seancës së Kuvendit, ka thënë se partia e tij nuk ka votë për Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por po për tre emra të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Nëse sot do të ishte (Glauk) Konjufca, ose Saranda (Bogujevci) ose Shqipe Selimi, do të votonim”, ka thënë ai.
Kur u pyet se nëse nuk do të arrihet të konstituhohet Kuvendi as pas 30 ditësh ai tha se do të vërtetohet qëllimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Për fat të keq unë besoj që qëllimi i tij nuk ka ndryshuar, është të vazhdojë me mbajt peng Kosovën, me udhëheq me Kosovën pra në mënyrë jo të ligjshme. Me mbajt peng Kosovën”, u shpreh Haradinaj.
Deliu-Kodra: Do të votojmë kundër Albulena Haxhiut
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra ka thënë se përfaqësuesit publikë duhet të mësohen që aktgjykimet e tilla as të mos vihen në dilemë.
Ajo ka thënë se sot do të marrin pjesë në votim, duke paralajmëruar votë kundër Albulena Haxhiut.
Kosova është bllokuar që gjashtë muaj për shkak të arrogancës dhe për mosrespektim të aktgjykimit të 26 qershorit.
“Kosova sot ka probleme shumëfish më të mëdha se a do të zgjidhet apo jo Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit. PDK-ja ka refuzuar të bëhet shkelëse e Kushtetutës. Ne do ta respektojmë aktgjykimin, do të votojmë kundër Albulena Haxhiut”, ka thënë ai.
Nura i PDK-së: VV-ja ka pasur kohë të reflektojë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, ka thënë se situata rreth konstituimit të Kuvendit është qartësuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që ka theksuar se duhet të ketë votim të hapur dhe që gjithçka të mbyllet për 30 ditë e që një kandidat ka të drejtë të propozohet tri herë për votim.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje “ka pasur kohë të reflektojë për bllokimin që ka bërë”.
Nura ka shtuar para seancës së paraparë për orën 11 që pret që VV-ja të nxjerrë “figurë më unifikuese”.
Është shprehur optimist se procedurat tani do të jenë më të shpejta se që ishin deri tash.
Kuvendi mblidhet pas vendimit të Kushtetueses
Kuvendi i Kosovës mban sot (e mërkurë) vazhdimin e seancës konstituive të nisur në prill. Vazhdimi do të nisë në orën 11. Në rend dite do të jetë votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të organit ligjvënës.
Derisa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se nuk do të tërhiqet kandidatura e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, ata të partive oponentë kërkuan sjellje konform Aktgjykimit të Kushtetueses.
E presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar prej deputetëve përgjegjësi dhe e ka cilësuar urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve.
Seanca mbahet dy ditë pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive. Sipas Aktgjykimit, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh dhe e drejta e propozimit të kryeperlamentarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar i dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Aktgjykimi e kufizon në vetëm tri votime kandidaturën për kryetar Kuvendi.
Deri tash, kandidatja e vetme e propozuar nga Vetëvendosja ka qenë Albulena Haxhiu, e cila në vazhdimet e seancës para se të kërkohej kalimi në votim të fshehtë, nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.